Është shtyrë për të disatën herë gjyqi në ngarkim të ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Shkak edhe kësaj radhe është bërë kërkesa e avokatit të Tahirit për shtyrje për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Kjo është e disata herë që shtyhet seanca për ish ministrin, Tahiri i cili ka kërkuar t’i ulet dënimi dhe t’i njihet shërbimi i provës.
Seanca e radhës është planifikuar për shqyrtim nga gjykata në datë 10.03.2023 ora 09:15.
Më 4 shkurt të këtij viti, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre" duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal".