Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka ndryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.
Ish-Presidenti do të vijojë të qëndrojë në qelinë e paraburgimit.
Gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka, që shqyrtoi kërkesën e Metës, nuk e ndryshoi masën e sigurisë.
Kujtojmë që Ilir Meta ndodhet i arrestuar që prej 21 tetorit 2024.
Ish-Presidenti Meta ka bërë rekurs edhe në Gjykatën e Lartë dhe kërkesa e tij do të shqyrtohet më 9 tetor. Ai ka bërë ankimim për masën arrest në burg, të caktuar prej rreth 1 viti nga GJKKO dhe të lënë në fuqi nga Apeli.
Ndërkohë që, Irena Gjoka do të jetë edhe gjyqtarja e seancës paraprake më 25 shtator në ngarkim të Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhit, Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos, që janë marrë të pandehur nga SPAK.
SPAK mbylli hetimet për dosjen ‘Meta’ më 28 korrik, ndërsa e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një; aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Burime për gazetaren e Report TV Keti Banushi, kanë bërë me dije se gjyqtarja Irena Gjoka ka kërkuar dorëheqjen nga çështja e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Kjo kërkesë është shqyrtuar nga gjyqtari Erion Bani dhe nuk është pranuar. Irena Gjoka do të jetë relatore e seancës paraprake që do të mbahet më 25 shtator për shqyrtimin e dosjes në ngarkim të Ilir Metës.
Dorëheqja e Gjokës është kërkuar dhe nga avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Çakrani, i cili pretendon se gjyqtarja ka probleme me ligjin.
Gjoka ka qenë edhe gjyqtarja e hetimit paraprak për dosjen e aferës Partizani, dhe ka caktuar po ashtu masat e sigurisë për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, tashmë të pandehur. Gjoka ka qenë gjithashtu objekt i sulmeve të vazhdueshme të Berishës, duke e cilësuar si delinkuente dhe kriminele.
Komente
