15 mijë € për të kaluar emigrantët nga Spanja në Angli, goditet grupi i trafikantëve shqiptarë! 7 në pranga, 2 drejtuesit u kapën kur po ktheheshin në Shqipëri

8 Tetor 2022, 14:02| Përditesimi: 8 Tetor 2022, 14:14

  • Share

Një grup trafikantësh shqiptarë është arrestuar nga policia spanjolle pasi kërkonin nga 3 deri në 15 mijë euro për secilin emigrant që donte të shkonte ilegalisht në Britani. Në pranga kanë rënë 7 persona, 5 prej të cilëve në Bizkay si dhe 2 të tjerë, të dyshuar si drejtues të organizatës, u arrestuan në Aeroportin e Madridit teksa po ktheheshin për Shqipëri.

Ata i kalonin emigrantët si turistë nga Porti i Bilbaos ose Santander për në Britani dhe i mbanin dokumentet e identifikimit atyre që kalonin në Angli derisa të shlyenin tarifën me të cilën kishin rënë dakord me grupin, shkruajnë mediat spanjolle.

Emigrantët, përfshirë dhe të mitur prisnin në çadra tokën e Biscay dhe hynin fshehurazi si turistë në tragetet që shkonin për në Britani duke rrezikuar edhe jetën. Nga vështirësitë që hasnin duke u fshehur brenda kamionëve ose kontejnerëve, kishte raste që vetëdorëzoheshin duke bërtitur ose godisnin fort muret e kabinave ku qëndronin.

Operacionet nga Spanja për të zbuluar linjën e trafikut të emigrantëve nisi pas ankesave dhe gjobave për kompanitë e transportit nga autoritetet britanike pasi u konstatuan kontejnerë me probleme ose të hapura. Spanja përmirësoi teknologjinë për të zbuluar njerëzit që fshiheshin nën kamionë ose brenda kontejnerëve.

Hetuesit e kishin të vështirë të çmontonin grupin e trafikantëve shqiptar dhe të binin në gjurmët e tyre pasi kishin një sistem mjaft kompleks për të mbledhur dhe dërguar paratë në vendin e tyre pa u zbuluar nga policia. 

Sipas mediave spanjolle, emigrantët që kishin synim Britaninë, shkuan në mënyrë legale në Spanjë pasi ligjit të vitit 2010 që mund të hynin pa vizë dhe të qëndronin jo më shumë se 90 ditë. Nga operacioni ‘Epiro’ që ka nisur prej vitit 2019 mund të ketë edhe arrestime të tjera.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?