Mungesa e reshjeve rrit kostot në buxhetin e shtetit për furnizimin me energji elektrike. Vetëm për dy javët e para të muajit tetor, Korporata Elektroenergjetike ka importuar mbi 95 mijë megavat energji elektrike.
Në dy tendera të shpallura nga KESH për të siguruar energji nga data 2 tetor deri më 15 tetor, çmimi më i lartë me të cilin është blerë energjia ka qenë 108.85 euro për megavat, ndërsa çmimi më i ulët ka qenë 85 euro/MËH.
Në total energjia e siguruar për dy javët e para të tetorit ka kushtuar rrethj 9. 5 mln euro, dhe çmimi mesatar për të 6 ankandet e zhvilluara ka qenë 98.18 euro për megavat.
Ankandet e importit të energjisë për këtë vit kanë nisur në fund të muajit korrik, dhe deri më tani është importuar energji me vlerë mbi 43.5 milionë euro.
Ndërkohë KESH ka shitur energji në gjashtëmujorin e parë të vitit energji me vlerë 35. 5 mln euro, ku çmimi më i lartë për megavat ka qenë 161 euro dhe më i ulti është regjistruar në fund të janarit me 25.5 euro megavat.
Shqipëria vijon të jetë në emergjencë për furnizimin me energji elektrike si pasojë e krizës që kulmoi në vitin e kaluar, kur çmimi i një megavati kapërceu në mbi 1000 euro. Edhe pse çmimet në bursë kanë zbritur në shifrat e para krizës, përsëri situata është e pa-stabilizuar për shkak të luftës në Ukrainë dhe pasigurisë që ekziston për garantimin e sasive të gazit në Evropë.