Me shumicë votash Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi ndryshimin e kategorisë së një sipërfaqeje pyjore prej 0.8 ha në zonën e Gjirit të Lalzit, i cili I hap rrugë ndërtimit të kompleksit turistik “Lura 5”.
31 këshilltarë të PD, PS dhe PL ngritën kartonin jeshil, ndërsa kundër votuan vetëm 3 këshilltarë demokratë.
Resorti turistik “Lura 5” ka marrë lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por sipas këshilltarëve demokratë, Dritan Burgija dhe Ardi Muka bregdeti i Durrësit është betonizuar mjaftueshëm. Ndërsa socialistët mbrojtën tezën se kompleksi do t’i japë një hov më të madh zhvillimit të turizmit.
Një tjetër pikë që nuk gjeti dakordësinë e të gjithë këshilltarëve ishte ajo që lidhet me raportin e monitorimit të zbatimit të buxhetit të bashkisë për vitin e kaluar.
Këshilltarët Muka, Burgija dhe Ibraj nënvizuan se shumë zëra të buxhetit faktik rezultojnë të parealizuara, ndërsa fondi i menaxhimit të mbetjeve urbane figuron i realizuar në masën 95.5%., kur shumë shërbime si pastrimi, ndriçimi etj mungojnë në shumë zona.
Mbledhja e këshillit bashkiak të Durrësit u drejtua nga kryetarja e komanduar Denisa Luarasi, pasi kryetari i mëhershëm Ani Dyrmishi garon për deputet në zgjedhjet e 11 Majit.
Komente
