Parisi, qyteti të cilin Ismail Kadare e deshi aq shumë, ku u strehua pasi në vendin e lindjes u ndje i rrezikuar, nderon autorin shqiptar, një vit pas ndarjes nga jeta.
Këshilli Bashkiak, votoi unanimisht për të vendosur një pllakë përkujtimore në zemër të Parisit, në 63, bulevardi Saint-Michel, ku Kadare dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku ai krijoi disa prej veprave më të bukura të letërsisë së tij.
"Ismail Kadare është padyshim autori shqiptar më i famshëm dhe më i vlerësuar ndërkombëtarisht, dhe zë universal kundër totalitarizmit. Që në krye të heres, ai zhvilloi një pasion për fjalët. Fitoi të drejtën për të studiuar letërsi në Moskë dhe, kur Shqipëria u nda nga Rusia dhe u afrua me Kinën, ai u detyrua të kthehej në Shqipëri", tha këshilltarja Bashkiake Maud Gatel.
Ambasada e Shqipërisë në Francë e cilësoi vendimin si një homazh, jo vetëm për Kadarenë, por për të gjithë kulturën shqiptare.
“Këshilli Bashkiak i Parisit i bëri një homazh të gjallë dhe emocionues kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare dhe, nëpërmjet tij njëkohësisht edhe Shqipërisë?dhe kulturës shqiptare, teksa votoi sonte në mbrëmje, me unanimitet, për vendosjen e pllakës me emrin dhe në nderim të Ismail Kadaresë, në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij. Faleminderit Parisit, faleminderit Francës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare. Ai konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore evropiane dhe figura më e shquar e letërsisë shqiptare të shekullit XX.
Ndër veprat e tij më të njohura përfshihen Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, Prilli i thyer, Pallati i ëndrrave, Koncert në fund të dimrit.
Krijimtaria e Kadaresë është përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare, përfshirë Prix Mondial Cino Del Duca dhe Jerusalem Prize.
Në nderim të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, Këshilli Bashkiak i Parisit ka marrë një vendim për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën 63, bulevardi Saint-Michel.
Gjatë fjalës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Parisit, këshilltarja Maud Gatel ka deklaruar se Kadare është autori shqiptar më i famshëm dhe më i vlerësuar ndërkombëtarisht.
Gatel ka theksuar se Ismail Kadare ka qenë një nga shkrimtarët që ka publikuar disa vepra që ishin kundër regjimit komunist dhe për këtë ka kaluar edhe një periudhë rehabilitimi.
Ndërsa më tej, këshilltarja bashkiake e Parisit, tha se pas rrëzimit të regjimit komunist, Kadare u ndje i rrezikuar dhe vendosi që të jetojë në Paris, ku u vendos në adresën 63 boulevard Saint-Michel.
Pikërisht në këtë adresë do të vendoset edhe pllaka përkujtimore për shkrimtarin e madh shqiptar.
Fjala e Këshilltares Bashkiake Maud Gatel:
Ismail Kadare është padyshim autori shqiptar më i famshëm dhe më i vlerësuar ndërkombëtarisht, dhe zë universal kundër totalitarizmit. Që në krye të heres, ai zhvilloi një pasion për fjalët. Fitoi të drejtën për të studiuar letërsi në Moskë dhe, kur Shqipëria u nda nga Rusia dhe u afrua me Kinën, ai u detyrua të kthehej në Shqipëri.
Atje, ai filloi karrierën si gazetar, teksa vazhdoi të shkruajë letërsi. Ishte 27 vjeç kur shkroi romanin e tij të parë, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur", që është historia e një gjenerali italian të dërguar në Shqipëri për të riatdhesuar eshtrat e bashkatdhetarëve të tij që ranë gjatë Luftës së Dytë Botërore. I pritur jo mirë në Shqipëri, romani u vlerësua në të gjithë botën dhe madje u përshtat në kinematografi me protagonistë Marcello Mastroianni, për të cilin ne flasim sot e kësaj dite, dhe Anouk Aimée, që tregon se është një sintezë e përsosur.
Pasuan rreth pesëdhjetë romane dhe ai fitoi çmime të shumta. Pas botimit të poemës "Pashallarët e Kuq", Kadaresë iu ndalua të botonte dhe iu desh t'i nënshtrohej një periudhe riedukimi apo rehabilitimi (shiko fengjishten). Në vitin 1981 ai botoi "Pallatin e ëndrrave", roman antitotalitar. Vepra u ndalua, Kadarenë e cilësuan si armik. Shtypi botëror reagoi ndaj këtij ndëshkimi dhe pati protesta ne në mbrojtje të autorit, i cili mundi t’u shpëtonte sanksioneve.
Në vitin 1990, duke u ndjerë i kërcënuar në vendin e tij, ai kërkoi dhe mori azil politik në Francë, së bashku me bashkëshorten Helenën. Më pas, u vendos në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris. Orët e kaluara duke shkruar në zemër të Parisit, qytetin që e deshi aq shumë, ai i përjetësoi në librin e tij "Matinées au café Rostand (Mëngjeset në Kafe Rostand).
Ismail Kadare ndërroi jetë më 1 korrik 2024. Në homazh dhe për të nderuar këtë shkrimtar të angazhuar, një zë te shquar kundër totalitarizmit, dëshirojmë që një pllakë përkujtimore të vendoset në ndërtesën ku ai jetoi. Faleminderit
Komente

Po ky Gjekmarka pse ja fut kot gjithmon? Parisit shum faleminderit që vuri pëëakëm në mur, veten nderuan me Ismailon, po Tirana i ka bërë edhe shtëpinë e prondërbe në Hjirokatër edhe të tijën në Tiranë muze ! Ku e gjen ky që Tirana ka heshtur !!!!!!!!!!!!???????????
Përgjigju