Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi një sërë vendimesh ditën e sotme mes të cilave edhe shtimi i numrit të familjeve që përfitojnë nga programi i subvencionimit të interesave të kredisë.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, bëri të ditur se pas ankimeve administrative janë përfshirë edhe 78 familje të tjera, të cilat tashmë përfitojnë kredi të buta për strehim.
Këshilli miratoi edhe listat e reja të përfituesve të programeve të Procesit të Rindërtimit, duke vijuar angazhimin për strehimin e qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
“Projektvendimi vjen si akti i radhës i rëndësishëm në funksion të zbatimit të angazhimeve tona për rikuperimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe garantimit të strehimit të qytetarëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Projektvendimi është hartuar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi dhe ka kaluar në mënyrë të strukturuar nëpër të gjitha hallkat e procesit institucional, duke filluar nga shqyrtimi i aplikimeve, verifikimi i dokumentacionit dhe analizimi i rasteve me vendime gjyqësore apo ndryshime të kushteve teknike në terren”, u shpreh Ristani.
Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me programin e ndihmës ekonomike: për periudhën 1–31 korrik 2025, do të mbështeten gjithsej 231 familje, ku 160 me fonde të buxhetit vendor dhe 71 nga fondi i kushtëzuar deri në 6%.
Po ashtu, u miratua edhe projektvendimi për subvencionimin e qirasë për disa familje në nevojë që nuk mund të përballojnë tregun e lirë.
Këshilli Bashkiak miratoi dhe Planin Social 2025–2027 për Bashkinë Tiranë, i cili përcakton objektiva të qarta për rritjen e mirëqenies sociale, përfshirjen në tregun e punës, zgjerimin e shërbimeve për të moshuarit, fëmijët dhe grupet vulnerabël.
Komente
