Këshilli Europian i Pagesave shqyrton aplikimin e Shqipërisë në SEPA

16 Nëntor, 12:09| Përditesimi: 16 Nëntor, 12:16

  • Share

Anëtarësimi i Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA përbën një prioritet kombëtar, pasi shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit në BE.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë dje (15 nëntor) në konferencën e nivelit të lartë me temë “Kapërcimi i kufijve, ndërtimi i së ardhmes: Integrimi në SEPA rrit përfshirjen financiare – duke mundësuar rritje ekonomike të qëndrueshme”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj.

 “Shqipëria është vendi i parë në rajon, i cili dërgoi aplikimin formal për t’u pranuar në këtë zonë. Aktualisht, ky aplikim po shqyrtohet nga Këshilli Evropian i Pagesave, si administrator i skemave SEPA, si dhe nga Komisioni Evropian”, tha Sejko.

Konferenca e organizuar në qytetin e Prishtinës, u hap nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, si dhe u përshëndet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Drejtorja e Përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva. Ndërkohë të pranishëm ishin edhe guvernatorë të bankave qendrore e drejtues të lartë të autoriteteve mbikëqyrëse të rajonit, si edhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht në: integrimin në SEPA; transformimin digjital dhe implikimet për shërbimet financiare; rritjen e stabilitetit financiar në një ambient në ndryshim; ndërmjetësimin financiar në sektorin bankar rajonal.

Sesioni i tretë i konferencës, ku Guvernatori Sejko ishte i ftuar të merrte pjesë si folës, u fokusua në trajtimin e temës “Roli i ndërmjetësimit financiar në sektorin bankar të Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin e tij në zhvillimin ekonomik rajonal”. Paneli diskutoi lidhur me modernizimin e sistemeve të pagesave të nxitur nga prania e bankave të huaja dhe zgjerimi i adoptimit të bankingut digjital, vendimtar për nxitjen e përfshirjes financiare.

Sejko ndau me të pranishmit këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë lidhur me temën, duke theksuar se sigurimi i një sistemi pagesash të sigurt dhe efikas është në fokus të Bankës së Shqipërisë. Meqenëse objektivi kryesor i bankës qendrore është stabiliteti i çmimeve, një mjedis i sigurt për funksionimin normal dhe me sa më pak kosto për qytetarët, të pagesave sa më të shpejta është i domosdoshëm krahas nxitjes së ndërmjetësimit financiar.

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?