TIRANË- Këshilli i Europës (KiE) i ka cilësuar zgjedhjet e 6 marsit si të rregullta dhe të administruara mirë, duke vëne theksin se janë të parat në 30 vite që u pranuan nga të gjithë garuesit dhe nuk janë kontestuar.
Në seancën e tij të 43-të plenare, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës diskutoi sot raportin informues mbi zgjedhjet e pjesshme vendore në Shqipëri të mbajtura më 6 mars 2022, pas një misioni vëzhgues hibrid të zgjedhjeve të kryer më 24 dhe 25 shkurt dhe 8 mars. Në përfundim të saj, u theksua se rregullat përkatëse u respektuan përgjithësisht nga të gjitha palët e interesuara, teksa u identifikuan gjithashtu edhe disa fusha ku ka ende hapësirë për përmirësim, veçanërisht në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të mëparshme nga Komisioni i Venecias të cilat mbeten për t'u adresuar, duke përfshirë masat për depolitizimin e komisioneve zgjedhore të nivelit më të ulët dhe përgjegjësinë penale ende ekzistuese për shpifje.
Raporti fton autoritetet shqiptare të trajtojnë këto rekomandime të kahershme dhe të rrisin përpjekjet për të promovuar pjesëmarrjen e grave kandidate në zgjedhjet për kryetar bashkie.
Raportuesi arriti në përfundimin se ai shpreson se “ndryshimi pozitiv i arritur gjatë këtyre zgjedhjeve të pjesshme do të vazhdojë në vitin 2023, si p.sh. të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhje dhe pranimi nga të gjithë garuesit e rezultateve përfundimtare”.