Tiranë- Opozita bojkotoi sot (1 Nëntor) punimet parlamentare, përfshirë edhe Këshillin e Legjislacionit në Kuvend, i cili po diskutonte tre fitore të PD-së në Gjykatën Kushtetuese.
Socialistët pranojnë vërejtjet e këtij organi për Rregulloren e Kuvendit, duke lejuar përjashtimet me 30-60 ditë vetëm për ata deputetë zjarrvënës.
Socialistët ishin të vetëm në tryezë, edhe këtë të premte kur në Këshillin e Legjislacionit në Kuvend duhet të ulnin kokën e t’i bindeshin Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo kishte dhënë 3 vendime, të cilat detyronin ndërhyrje ligjore.
Në mungesë të demokratëve, Toni Gogu në emër të mazhorancës tha se PS do të zbatojë 100 % vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Rregulloren e Kuvendit, vendim i cili nuk e lejon më përjashtimin e deputetit mbi 30 ditë, përveçse kur ai vendos zjarr.
Sinkron Toni Gogu Deputet i PS tha:
“Ne e zbatojmë katërcipërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Rregullorja nuk ka nevojë të rishkruhet, pasi nuk krijohet vakuum. Do të ruhet balanca mes të disiplinimit dhe lirisë së shprehjes”.
Ky votim nuk anulon dënimet e marra deri më tani nga deputetët e opozitës. Shumicës prej tyre, ndëshkimi ju mbaron në 11 nëntor.
Në vendimin e marrë qershorin e kaluar, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin e ri në Rregulloren e Kuvendit, e kaluar vetëm me votat e socialistëve, që fliste për dënime deri në 30 ditë për deputetët që ushtronin dhunë, pasi sipas togave të zeza krijonte hapësirë për arbitraritet.
Këshilli i Legjislacionit nuk mundi të vijonte me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi ligjin për komisionet hetimore dhe tatimin ndaj profesionistëve të lirë, pasi mungonin deputetët përgjegjës, Eduard Shalsi dhe Ermonela Felaj.