TIRANË- Partia Demokratike parashtroi në Këshillin e Legjislacionit kërkesën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke pretenduar se ka dhunuar Kushtetutën dhe i ka mohuar opozitës të drejtën e fjalës. Deputeti demokrat, Ivi Kaso parashtroi kërkesën e tij në Këshillin e Legjislacionit, duke u ndalur tek dy seancat, 16 dhe 18 shtatorit, për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit dhe prezantimin e programit të qeverisë.
“Kemi të bëjmë më një kërkesë të grupit të PD, për drejtimin e seancës nga Niko Peleshi, në seancën e datës 16 shtator dhe 18 shtator, në të cilat pavarësisht se sapo ishte zgjedhur ka kryer veprime në kundërshtim me kushtetutën dhe rregulloren, duke i mohuar të drejtat deputetëve të opozitës. Shkeljet e konsumuara në këto dy seanca s’kanë të bëjnë me shkelje vetëm të natyrës procedurale, ndryshimi i rregullores me procedurë të përshpejtuar në ndryshim nga parashikimet kushtetuese, me anë të së cilës s’mund të shqyrtohej një ligj me procedurë të shpejtuar. Ka të bëjë me mohimin e të drejtës së deputetëve të opozitës për ndryshimet e rregullores dhe kthyer në një traditë parlamentare me anë të cilës ndryshimi i rregullores së Kuvendit është bërë me konsensus”, tha Kaso.
Edhe pse nuk kanë numrin e duhur të votave, dhe 50 mandatet e tyre janë pa ndikim kundrejt 83 socialistëve, në Këshillin e Legjislacionit opozitarët këmbëngulën për shkarkimin e drejtuesit të Parlamenti.
Në seancën për prezantimin e programit të qeverisë e cila u mbizotërua nga kaosi, Ivi Kaso tha se kryetari i Kuvendit shkelmoi Kushtetutën, duke mos lejuar opozitën të flasë. Madje, me ironi Kaso tha se seanca e Kuvendit u drejtua nga kryeministri Rama dhe jo nga kryetari i Kuvendit. Provokim e quajti fjalën e ‘Diellës’ në Kuvend.
“Këto seanca janë shënjuar nga fakti që është vullneti i kreut të grupit të PS, në mungesë të kryeministrit, që dikton hapat procedural që duhet të marrë Kuvendi dhe jo autoriteti i kuvendit. Kjo ka ndodhur në seancën e datës 16, ku me procedurë të përshpejtuar, është vendosur të miratohet ndryshimi i rregullores. Shkelmoi kushtetutën mbi të cilën sapo ishte betuar dhe duke hedhur në plehra rregulloren që shumë shpejt do të amendohej në mënyrë të jashtëligjshme. Në seancën e dy ditëve më vonë, më e rëndësishmja e një legjislature, diskutohet programi i këshillit ministrave, prezantohen ministrat, u jepet e drejta opozitës të drejtojnë pyetje lidhur me programin, janë konsumuar shkelje të rënda duke shkelur rregulloren që sapi kishte hyrë në fuqi, në kundërshtim me kushtetutën. Rama drejtoi seancën dhe jo kryetari i kuvendit. Kryeministri në seancën ku prezantohet programi qeverisës, ka një rol të përcaktuar me kushtetutë dhe rregullore, në asnjë pikë nuk përfshihet drejtimi i seancës së parë të Kuvendit, në të cilën diskutohej programi qeverisës, në ndryshim nga kjo, ishte lideri mazhorancës që i diktoi kryetarit formal të kuvendit mënyrën se si do të drejtohej seanca, pasi bëri çeljen e seancës, ti jepet fjalën një versioni të animuar të asaj, gjurmë të saj nuk gjenden as në dekretin presidencial as në lidhjet e republikës së Shqipërisë, fjala e kryeministrit ndërpritet për vullnet të tij me qëllim talljen e seancës”, tha Kaso.
Socialistët e marrin me të qeshur këtë kërkesë.
"Kemi marrë vendimin sot në grupin parlamentar, vendimi është rrëzim i kërkesës. Uroj të kenë më shumë vota sesa kishim kur kishim zgjjedhjen e kryetarit", tha Taulant Balla pas mbledhjes së grupit të PS.
Me kërkesë së PS për të marrë kohë për të shqyrtuar kërkesën e opozitës për shkarkimin e Peleshit, mbledhja u shty dhe do të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme. Pavarësisht se si janë numrat, shkarkimi i Niko Peleshit do të hidhet në votim në seancë plenare pasi të ketë mbaruar shqyrtimi në Këshillin e Legjislacionit. Niko Peleshi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë më 12 shtator me 84 vota pro, dhe 3 kundër.
Komente
