Report Tv zbardh relacionin e anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut.
Shkresa është depozituar këtë të enjte pranë sekretariatit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ajo është firmosur nga të gjithë këshilltarët socialistë në mbledhjen që zhvilluan dje në selinë e Partisë Socialiste.
Këshilltarët socialistë bazojnë kërkesën e tyre për shkarkimin e Veliajt në nenin 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", ku thuhet se "Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: c) propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë".
"Qytetit të Tiranës me një zhvillim të pandalshëm ekonomik e social, i duhet një kryetar në detyrë, për ndjekjen e punëve, ndaj kjo ka nxjerrë si domosdoshmëri ndërmarrjen e iniciativës nga ana e grupit të këshilltarëve të majtë, për të nisur procedurat për shkarkimin e kryetarit aktual, si një detyrim ligjor, politik dhe moral ndaj qytetarëve, që kanë votuar për të patur një Tiranë më të zhvilluar, me më tepër shërbime cilësore dhe të denjë për të qenë kryeqyteti i Shqipërisë në fundin e rrugës së saj për të qenë pjesë e Europës",- theksohet në relacion.
Kujtojmë që Erion Veliaj nuk është paraqitur në detyrë prej më shumë se 7 muajsh, që prej arrestimit të tij më 10 shkurt 2025. Që prej asaj kohe ai ndodhet me masë sigurie arrest në burg nga GJKKO, me kërkesë të SPAK. Vetë Veliaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe ka kërkuar disa herë në shkallët e ndryshme të gjyqësorit një masë më të lehtë sigurie, por të gjitha kërkesat i janë rrëzuar.
Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës do të kërkojnë në mbledhjen e ditës së martë (23 shtator) shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Veliaj.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Veliajt do të duhen 31 vota nga 61 anëtarë që janë gjithsej, numra të cilat socialistët i kanë. Pas vendimit që do të marrë Këshilli Bashkiak i Tiranës, firmën përfundimtare do të duhet ta hedhë Kryeministri.
Shkarkimin e Erion Veliajt e kërkuan edhe këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës, që në muajin maj 2025.
Më 10 shtator SPAK njoftoi se e dërgoi në gjykatë dosjen Veliaj. Ndërsa më 11 shtator, në Asamblenë e PS, Kryeministri Edi Rama u kërkoi këshilltarëve socialistë që të nisin procedurat për shkarkimin e Veliajt dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Rama deklaroi gjithashtu se PS do të kandidojë Ogerta Manastirliun për Bashkinë e Tiranës.
Sipas ligjit, këshilli bashkiak ka për detyrë të propozojë shkarkimin e kryebashkiakut, ndërsa vendimi merret nga Kryeministri.
Nëse Kryeministri Edi Rama firmos shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj, socialistët e kanë gati kandidaten, Ogerta Manastirliun. Por kjo mund të ndodhë nëse kryebashkiaku Erion Veliaj nuk e ankimon procedurën e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese.
Kryebashkiaku ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Për momentin Veliaj, i cili ndodhet prej 7 muajsh në paraburgim, nuk ka bërë asnjë koment për vendimin politik.
Ligji thotë se në rast se Veliaj e kundërshton Ramën pranë kësaj gjykate, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetutese.
Nga ana tjetër, nëse Bashkia e Tiranës shkon në zgjedhje të parakohshme, opozita deri më tani nuk ka gati asnjë kandidat gati që do të rivalizonte Manastirliun. Edhe ata pak emra që u përfolën si kandidatë të mundshëm, Ilir Alimehmeti apo Jorida Tabaku kanë refuzuar publikisht kandidimin.
Aktualisht, Bashkia e Tiranës drejtohet nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani.
Komente
