Këshilltari i DASH: Koha për themelimin e asociacionit, të gatshëm të mbështesim Kosovën

30 Janar 2023, 08:57| Përditesimi: 30 Janar 2023, 17:45

  • Share

I dërguari  i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Derek Chollet ka postuar një analizë përsa i përket themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë vënë theks të ri integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen transatlantike.

Në shkurt të vitit 2022, presidenti Joe Biden dhe kancelari Oalf Scholz deklaruan se janë të përkushtuar për “të përmbyllur çështjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor... që më në fund të realizohet një Evropë e tërë, e lirë dhe në paqe”. Ndër qëllimet tona më të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor është të ndihmojnë në krijimin e kushteve për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Gjatë javëve të shkuara, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi udhëtuar në Beograd dhe Prishtinë për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së për të dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet, të ndërprejnë ciklin e krizave dhe konfrontimit, dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian. Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dy palët duhet ta shfrytëzojnë. Ndër detyrat më kritike mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka pasur shumë diskutime për Asociacionin dhe ka ardhur koha të tregohet qartë se çka është ky Asociacion e çka jo. Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse.

Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit, dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës. Po aq e rëndësishme, zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin është obligim i mbetur, ligjërisht i detyrueshëm, ndërkombëtar, për të cilën kërkohet veprim nga Kosova, Serbia dhe BE-ja, dhe zotim ekzistues të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Zotimi i Kosovës për të krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj. Ne e kundërshtojmë rreptësishtë krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë; bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që të ofrojë vizionin e saj për këtë asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së ka vënë në pah se ekzistojnë 14 aranzhime të ngjashme brenda Bashkimit Evropian – asnjëra nga to nuk cenon sistemet evropiane të qeverisjes efektive. Brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë zotimet e saj. Si vendi më pro-kosovar në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore nuk cenohet.

Si do të dukej Asociacioni?

Komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët do të mund të punonin në mënyrë më efikase së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e shërbimeve publike, nëpërmjet ekonomive të shkallës dhe shkëmbimit të praktikave më të mira. Për shembull, komunat do të mund të hartojnë kurrikulë në gjuhën serbe për shkollat lokale në disa komuna e të mos veprojnë në vakum dhe duke bërë punë të dyfishtë. Bashkëpunimi i tillë është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 për zotimin për Asociacion dhe parimet e qeverisjes së mirë të ushtruara nëpër vendet tjera në Evropë.

Çfarë nuk do të ishte Asociacioni?

Nuk do t’ia shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në bashkë-menaxhimin e juridiksioneve brenda institucioneve dhe strukturave legjitime kosovare. Duke lejuar komunat e caktuara që në mënyrë më efikase të ushtrojnë kompetencat që tashmë i kanë, kjo do të mënjanonte nevojën që qytetarët kosovarë të kërkojnë shërbime nga strukturat paralele ilegale – siç bëjnë shumë veta tani – dhe do të ruante transparencën dhe ligjshmërinë e strukturës së re sipas dhe brenda ligjit kosovar. Dhe çdo mbështetje dhe ndihmë që Serbia do t’ia ofronte komunitetit serb të Kosovës do të duhej të ishte transparente dhe të shkonte përmes këtyre kanaleve legjitime dhe të lejuara.

Po ashtu, është me rëndësi të vihet në pah se një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte një-etnik. Këto do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë –të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen. Anëtarët e Asociacionit do të ishin zyrtarë lokalë tashmë të zgjedhur si përfaqësues të të gjithë banorëve në komunat e tyre. Ndër shqetësimet kryesore të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ishte çështja se si të sigurohej që Asociacioni mbetet i hapur për të gjitha etnitë dhe të ishte plotësisht brenda strukturës së kornizës ligjore të Kosovës dhe ajo bëri thirrje që propozimi fillestar të përshtatej e të mos hidhej poshtë, si dhe theksoi obligimin për krijimin e një asociacioni të tillë sipas marrëveshjes së Brukselit.

Si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike. Jemi të gatshëm që ta mbështesim Kosovën për të përmbushur këtë zotim dhe do të qëndrojmë krah vendit tuaj në çdo hap. E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë – dhe të rinjve të saj që tash po shikojnë kah vendet e jashtme për mundësi – mund të jetë e ndritur në një Evropë “të tërë, të lirë dhe në paqe”. Krejt çka duhet është që ta shfrytëzojmë këtë moment së bashku. REL

Ora 12:58
Kusari flet për asocacionin e komunave serbe në Kosovë: S’kemi përplasje me SHBA-në , por s’mund të bëhet pa Qeverinë

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari ka folur përsa i përket themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe duke thënë se qeveria nuk ka përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në takimin që do të mbahet ditën e nesërme, Kusari tha se janë ftuar edhe disa ministra dhe përfaqësues të zyrtarëve të lartë të shtetit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka asnjë përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka pasur. Ne mund të kemi ndryshim mendimesh në raport me procesin dhe agjendën e dialogut. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ftuar ministra të dikastereve të veçanta që konsiderojnë se mund të kontribuojnë në diskutimin rreth Asociacionit”, tha Kusari.

Kështu, ajo hodhi poshtë deklaratat se nga pozita nuk do të ketë përfaqësues në këtë diskutim. Ajo tha se Asociacioni nuk mund të bëhet pa Qeverinë.

“Asgjë nuk mund të bëhet nga dikush tjetër. Në Kosovë janë organet vendimmarrëse, Qeveria, Kuvendi. Nuk ka mekanizëm tjetër, ka instrumente, por në aspektin ligjor dhe të obligueshëm janë këto institucione që përmenda”, tha ajo.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë në disa raste se do të gjejnë partnerë alternativë në rast se Qeveria nuk do ta formojë Asociacionin. Ai ka thënë se një parti dhe një individ nuk mund ta ndalë këtë.

F.D//ReportTv.al
Komento

Komente

  • epo kjo pune: 30/01/2023 11:41

    ne rregull atehere, kompetenca botoresh, uje e kanalizime, te krijohen asocione veri, jug, lindje, perendim dmth bashkira te medha e te quhen shoqata e Jo asocione se eshte term angles dhe meqe nuk rrezikoka sovranitetin, reciprocitet me luginen dhe viset e tjera me shqiptare nga sanxhaku etj.. pastaj do dali fytyra e vertete e serbiles e meqe krijohet precedent te ngrihet reciprociteti me greqiren

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?