Kështjella, referenca te filmi Barbie dhe roza si forcë kundër patriarkatit

14 Janar, 11:55| Përditesimi: 14 Janar, 11:58

  • Share

Këtë fundjavë është hapur në COD ekspozita “Man of the Castle” e artistes vizuale Blerta Kambo. “Man of the Castle” (Burrë i kështjellës) është seria fotografike që i jep titullin ekspozitës si dhe përbën krijimin kryesor në të. Seria bazohet në fotografi të ndërtesave me formë të ngjashme me kështjellat të ndërtuara nga burri i shtëpisë, ose burri i kështjellës.

Kambo, më pas, ndërhyn në mënyrë digjitale duke i kthyer ato në dritë infra të kuqe, e cila njihet edhe si drita e padukshme për syrin e njeriut. Vetia e dritës infra të kuqe kthen çdo gjë rreth e përqark kështjellave në rozë, ngjyrë e cila në qasjen heteronormative nuk është aq “burrërore”.

Efekti i kësaj teknike bëhet më i dukshëm kur rrethohet nga natyra, e cila gjithashtu përfaqëson metaforikisht energjinë femërore të grave që jetojnë nën “burrin e kështjellës”, pra dritën e padukshme.

Krijimi i peisazhit të ëndrrave bie ndesh me forcën që këto ndërtesa rreken të përfaqësojnë. Për Kambon, patriarkati, sistemi që nënshtron gruan, është i njëjti sistem që shtyp burrat dhe i detyron ata të performojnë e të heshtin emocionalisht.

Manifestimi i toksicitetit maskilist, ose i brishtësisë burrërore të kudondodhur në botë, por me specifikat ballkanike, vijon me referenca të tjera në ekspozitë: një skulpturë qelqi rozë – një shkallë e pamundur; perde rozë: referencë ndaj festave që zbulojnë gjininë e një bebi, por edhe të filmit Barbie; tekstet me dritë LED me shprehje popullore mizogjene dhe një seri screenshots (pamje ekrani) nga Tinder, aplikacioni i njohjeve online. Ekspozita ndodhet në Sallonin e Kryeministrisë dhe do të jetë e hapur deri më 14 shkurt. “Man of the castle “ është mbështetur nga COD dhe Bashkia Tiranë.

Blerta Kambo (lindur në 1985) është një fotografe dhe artiste vizuale shqiptare. Projektet e saj personale ndjekin një qasje konceptuale, të cilat drejtohen në tematika si: arkivat, trillime/të vërteta të shumëfishta, ekofeminizëm, maskiliteti i brishtë, hapësira si ndjesi dhe arkitektura e ngulitur në hapësirë, si narrativë në kontekstin e saj social. Në 2023 Blerta ishte finaliste për çmimin e artit bashkohor Circa, Londër, MB.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?