Enver Hoxha

'Kështu më ka mësuar Partia dhe shoku Enver', letra e veteranit për Ramizin: Si janë mbledhur në Tiranë familja e Arshi Pipës dhe lidhjet e tyre me këto fise

12 Mars 2021, 08:20| Përditesimi: 12 Mars 2021, 08:28

  • Share

Publikohet një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish – Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet një letër e një veterani të njohur të Luftës nga qyteti i Shkodrës dërguar në adresë të Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së Ramiz Alisë, ku në kuadrin e mbledhjeve të organizatave bazë të partisë që u zhvilluan në të gjithë vendin për të dënuar “veprimtarinë armiqësore të poliagjentit Mehmet Shehu”, ai ka denoncuar lidhjet farefisnore të familjeve të njohura shkodrane: Pipa, Bekteshi, Boletini, Dani, Bushati, Ulqinaku, Turdiu, Selfo, etj., të cilat sipas tij, ishin grumbulluar me banim dhe punë në qytetin e Tiranës dhe ato ishin të lidhura me krushqinë që kishte bërë i biri i Mehmet Shehut?!

Vetëm pak ditë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981 kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb-a pistolete, ngjarje e cila dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë e mbuluar me mister dhe është bërë objekt debatesh, me porosi të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, në të gjithë vendin u mbajtën mbledhjet e organizatave bazë të partisë, ku në rend dite ishte “veprimtaria armiqësore e poliagjentit Mehmet Shehu….”. Në këto mbledhje u dha edhe një orientim, që; të gjithë antarët e partisë, përveç atyre çka kishin thënë dhe diskutuar nëpër mbledhjet e organizatës, çdo gjë tjetër që mund t’u kujtohej lidhur me “armikun Mehmet Shehu e familjarët e tij”, apo do të mblidhni nga persona të tjerë, do t’i shkruanin dhe do t’ja dërgonin Partisë në qendër, sa më shpejt që të ishte e mundur.

Në këtë kuadër, që në janarin e vitit 1982 e në vazhdim, drejt Komitetit Qëndror, udhëheqjes së lartë të PPSH-së, apo personalisht në adresë Ramiz Alisë apo Enver Hoxhës, vërshuan një numër i madh letrash, aq sa sektori i letrave pranë aparatit të Komitetit Qëndror, u detyrua që t’i bënte nga një përmbledhje të shkurtër të tyre, para se t’ja jepnin ato Ramizit apo Enverit. Në këtë mori letrash, i është dërguar Ramiz Alisë edhe letra e një veterani tepër të njohur nga qyteti i Shkodrës, i cili ka denoncuar lidhjet dhe krushqitë e familjes Pipa, ku ishte mbesë nusja e djalit të Mehmet Shehut, (Silva Turdiu), si dhe krushqitë e lidhjet e tjera që kishin mes tyre disa nga familjet e njohura shkodrane si: Bekteshi, Boletini, Dani, Bushati, Ulqinaku, etj. Nga sa shihet qartë nga letra në fjalë, duket se veterani i njohur nga qyteti i Shkodrës ka pasur pozita shumë të forta nga “meritat e Luftës”, pasi i ka kujtuar dhe përmendur Ramiz Alisë “disa gabime” që janë bërë me personazhe të Luftës në qytetin e Shkodrës. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja që letrën ai ja ka dërguar Ramizit dhe jo Enver Hoxhës, për faktin e njohur se Alia, si shkodran i vjetër, ka pas dijeni më shumë për ngjarjet e Luftës në atë qytet. Dokumenti në fjalë që publikohet ekskluzivisht nga Memorie.al, botohet i plotë me ndonjë shkurtim të vogël.

Letra e veteranit të njohur nga Shkodra për Ramiz Alinë
I dashur shoku Ramiz
Ju uroj shëndet të plotë dhe të mirë. Po ju shkruaj kur ndodhem ratë, mbasi jam keq me frymëmarrje (azma bronkale).

Punuam letrën e Komitetit Qëndror në organizatën bazë të Partisë në lagje ku bëju pjesë unë, mbi veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut. Aty për aty çfarë mendoja i diskutova dhe i deleguari i morri shënim. Por edhe se jam në shtëpi i sëmurë, mëndja më punon dhe lidh shumë gjëra, si i mendoj unë luftën e klasave, ndoshta edhe mund të gaboj, se kaq kuptoj, kaq horizont kam, por dua t’ja them Partisë, se kështu më ka mësuar Partia dhe shoku Enver, që komunisti t’ja thotë Partisë ashtu si mendon dhe kupton.

Sait Pipa dhe i vëllai Mustafa Pipa, i pari farmacist, i dyti avokat, kanë pasë 12 fëmi, në mos gabosha. I pari, Seiti ka 4 vajza dhe një djal që ka mbaruar për shef llogarie. Më duket se për një kohë ka punuar në Tiranë e tashti në Durrës. Eshtë i martuar me vajzën e familjeve të Turdiut.

Harrova me thanë se si Seiti, Mustafa e Xhevat Selfo, janë me origjinë nga Gjirokastra. Hasan Dani, për xhandarin e kam fjalën, ka të bijën e Dan Hasanit, i cili ka dy mjek në SHBA. Qemal Hasan Dani dhe një i burgosur tani, Seiti dhe Mustafa, për gra kanë dy motra me mbimerin Dibra dhe një motër e ka pasur i ati i Dan Hasës (Dauti, ka qenë i arratisur në SHBA dhe është kthyer vitet e fundit).

Vëllau prej babe i Daut Hasës, që është nip Pipejsh, ka djal teze Arshi Pipën. Ndoshta ju kujtohet se, Pipejt kanë pasë banuar afër stadiumit “Vojo Kushi”, ku dikur ka qenë vorreza.

Pipejt i njoh mirë, mbasi kam punuar në Parrucë. Mustafa (Advokati) ka pasë dy djelm: Muzafer Pipën, ish advokat, i pushkatuar nga ne për veprimtari armiqësore në vitin 1946, dhe Arshiun, edhe ky për veprimtari armiqësore ka qenë dënuar, është liruar, në mos gabohem, nga viti 1954. U pat marrë në punë si mësues dhe mbas një jave, ose pak më shumë, u arratis së bashku me motrën dhe shkuan në SHBA.

Një motër dhe vajzën e tezes, i kam pas puntore në Tulla, më duket se ka qenë Asimja me motrën. Myzaferi ka pas për grua Drita Kosturin, e cila më duket se jeton dhe dhe ndodhet në burg. Nipi i Pipejve, Hans Bekteshi, që është nipi i profesor Selaudin Bekteshit, është i biri i Tofik Bekteshit, i cili në kohën e fashizmit, ka qenë kryetar i Fashios në Shkodër.

Hansi ka mbaruar për Inxhinjeri dhe sipas të dhënave që kam unë, ky person ka punuar në kampet e ndryshme të armiqëve të Partisë dhe popullit. Pra duhet parë ky njeri nëse është fut, a nuk kemi pas inxhinjera të tjerë?!

Ndoshta ju shoku Ramiz e dini ma mirë, por e shoh me vënd t’ju informoj se: në rrethin e Pipejve përfshihet dhe Shoki Dibra, sot mjek në SHBA, i cili ka një vëlla të martuar në Tiranë, të quajturin Bashkim Dibra. Ky i fundit ka punuar dentist, sot është në pension, ky ka për grua motrën e Asime Pipës, tezen e Silva Turdiut.

E them këtë, se profesor Selaudin Bekteshi, ka meritat e veta dhe duhet trajtuar ashtu siç është trajtuar deri tash, por nuk është e drejtë që nën hijen e tij të ndodhen në Tiranë të gjitha motrat e tija: njëra gruaja e Jup Kazazit, tjetra gruaja e Maliq Bushatit, tjetra gruaja e Qazim Ulqinakut (tregtar i madh në Shkodër), dhe e katërta, gruaja e Adem Boletinit, i cili ësht vra në atentatin kundër major Ndrecës në Shkodër, në kohën e okupacionit, atentatin e pat udhëhequr Vasil Shanto.

Në komunikatën që pat dalë për këtë atentat, është vënë dhe emri i Adem Boletinit me urdhër të Vasil Shantos. Këtë komunikatë e kam shtypë unë me Arif Gjylin dhe Gjush Gjonin. Por para disa vjetëve, pat qenë heq emri i Adem Boletinit nga pllaka në vëndin e vrasjes, duke u lënë vetëm emri i major Ndrecës, gjë e cila nuk është punë e mirë, dhe më është thënë nga disa shokë, se heqja e emrit është bërë me urdhër të Komitetit Qëndror.

Veç sa më sipër, edhe e shoqja e Adem Boletinit, Adile Boletini, (ka qenë kryetare e grave Fashiste dhe ka zhvilluar aktivitete dhe me disa gra të tjera), që është motër e profesor Bekteshit dhe nënë e Dr. Enis Boletinit. Ademi vetë ka qenë nënkolonel, Partia ju ka ba thirrje gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare.

Kurse i vëllau i Ademit, Bajazit Buletini, ka qenë oficer madhor me forcat e kosovare të Xhaferr Devës në Shqipëri për të shtypur Luftën Nacional-Çlirimtare? Mirpo kam dëgjuar se Dr. Enis Boletini, djali i Ademit, na delka dhe jashtë shtetit.

Me këto që them, nuk dua të ul figurën e Isa Boletinit, pse ky ka vendin e vet në historinë e popullit tonë, por po them se ndoshta duhet parë ky problem, se mos del ndonjë gjë, se gjithë rrethi i tyre janë grumbulluar në Tiranë.

Veç të këqijve të Pipejve, duhet përmënd Sait Pipa në Shkodër ka qenë edhe imoral, antinjerzor. Dëshmori……..ka ba tentativë për ta vra në kohën e Zogut, ka shti me pistoletë kundër Saitit, por e pat plagosur rëndë, për shkak imoraliteti.

Shoku Ramiz
Shumica e Pipejve, sidomos vjehrra e djalit të Mehmet Shehut, Asime Pipa, me motrat, Ikbal, Gjyltere, janë grumbulluara në Tiranë. Prandaj ndoshta ka interes të shihet: kush i grumbullon gjithë këta në kryeqytet, pse dhe, a duhet të qëndrojnë prap aty ky kontigjent.

Këto probleme i kam ngritur në organizatat bazë dhe e gjithë organizata ishte dakort me to.

Në këtë letër e ndjeva për detyrë t’ju vëj në dijeni për sa shkrova, me bindje se me këto të dhëna do të ndihmoj Partinë në rast se kjo nuk i di.

Tani duke e mbyllur letrën më lejoni t’ju uroj shëndet të plotë, Juve dhe të gjithë shokëve me në krye shokun tonë të dashur Enver Hoxha.

Shkodër, më 26.1.1982

Me respekt
Anëtari Partisë (B……….XH………)
Me më fal se asht shtyp
me gabime se masi nuk
kam mujt me lexue shokët
e organizatës Partisë shkrimin tim/Memorie.al

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Like: 21/03/2021 06:35

    Akoma me keto shkrimet e 50 vjet prapa. Shikoni o popull perpara se nuk keni per te ndryshuar kurre. Mendoni se duke botuar shkrime te tilla do te prishni mendjet e njerezve. Sa me shume shruani per te kaluaren me shume pasurohen like injoranti dhe kokemadhi, mona surrat kali, salqeni, lulka e te tjere.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?