Partia Demokratike po rreket këto ditë, pas zgjedhjeve të 30 qershorit, që të bindë opinionin publik se Partia Socialiste ka futur duart në procesin zgjedhor për të rritur në mënyrë fiktive numrin e votuesve. Është nga ato procese që PD-ja i ka me qejf të merret sa herë pëson dështimin e radhës në çdo palë zgjedhje. Duke mos e parë fajin tek vetja, por tek kundërshtari, ajo kalon nga gabimi në gabim dhe prandaj shkon nga humbja në humbje. Humbje të cilat po i kushtojnë vite opozitë demokratëve të cilët ende nuk po e kuptojnë se dështakun e kanë në krye të partisë.
Kjo mënyrë për t’i bishtnuar përgjegjësisë nga Lulzim Basha, si zbatues i skemës për ta nxjerrë PD-në nga përfaqësimi në sistemin politik të vendit, tregon se lidershipi i kësaj partie s’ka për të zënë kurrë mend dhe do vijojë rrugën e tij të shmangies nga përballjet tek kutia e votimit me kundërshtarin politik, Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Ai do vijojë të trullosë të vetët se s’do hyjë kurrë në zgjedhje sa të jetë Edi Rama kryeministër. Me një fjalë, opozitë e përjetshme.
Tani, nuk dua të merrem me Lulzim Bashën, se boll jemi marrë duke i dhënë sugjerime se si të reflektojë për të mirën e Partisë Demokratike, por po i drejtohem elektoratit demokrat me disa shifra për ta kuptuar çmendurinë e liderit të tyre që i la rrugëve pa perspektivë.
Propaganda e udhëheqjes së PD-së për manipulim votuesish prej mazhorancës më 30 qershor është një hi që Lulzim Basha kërkon t’ju hedhë syve tuaj me qëllim që ju të mos e shihni dot realitetin ku ndodheni.
Zgjedhjet e 30 qershorit ishin një sprovë e vështirë për Partinë Socialiste, të cilën ia doli ta kalojë. Kjo sepse duke qenë se ajo do administronte me komisionerët e saj, e vetme, çdo qendër votimi, rreziku që situata të degjeneronte në rritje fiktive votuesish ekzistonte vërtetë. Këtë e kemi theksuar edhe përpara 30 qershorit, pasi fitorja pa kundërshtarin historik në garë ishte e garantuar. Vështirësia ishte vetëm administrimi i drejtë i votës, vetëpërmbajtja e komisionerëve që të mos shfrytëzonin mungesën e palës tjetër në komision.
Shqipëria ka rreth 5400 qendra votimi. Më 30 qershor në to ka pasur rreth 21600 komisionerë. Çdo qendër votimi nuk e di situatën në qendrat e tjera dhe nëse do të kishte ndonjë vullnet për të manipuluar numrin e votuesve, do të rrezikonte që numri në përfundim të procesit të shkonte në mbi një milionë votues. Kjo pasi në të tilla raste situata del jashtë kontrollit dhe është e pamundur që ta menaxhosh. Sekush prej komisionerëve do të kishte dëshirë që ta thellonte sa më shumë rezultatin dhe kjo do të çonte në një tepri të pajustifikueshme votash.
Nuk e përjashtoj që ndër 5400 qendra me 21600 komisionerë s’ka pasur tek- tuk ndonjë të çartuar që ka treguar zell në kundërshtim me ligjin, por janë raste të izoluara të cilat kurrsesi s’mund ta cenojnë procesin në tërësinë e tij.
Nga një vështrim që i bëra rezultateve paraprake që prodhuan zgjedhjet e 30 qershorit, më bëri përshtypje rezultati për bashkinë e Durrësit. Nuk po marr në analizë bashkitë e Shkodrës, Lezhës a gjetkë që ka drejtuar Partia Demokratike dhe që konsiderohen bastione të saj, por po fokusohem në Durrës, aty ku ka qeverisur për 12 vjet, Vangjush Dako.
Durrësi është shembulli më ulëritës se përse Lulzim Basha kërkon sot e në ditët në vijim alibi për të mbijetuar në krye të PD-së, pasi i bëri gjëmën kësaj partie dhe opozitës në tërësi.
Po të nisemi me teorinë e PD-së, zoti Dako, si drejtues politik i PS-së për Durrësin, kishte mundësinë që për interesa të partisë së tij të bënte harakiri që numrin e votave për kandidaten Sako ta çonte në 48 mijë vota, aq sa mori PS-ja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, apo edhe në 56 mijë vota, aq sa mori ai në zgjedhjet vendore të vitit 2015.
Por jo, ai, i shumë sulmuari Vangjush Dako, la në kuti aq vota sa i dha elektorati, rreth 34 mijë.
E dini ju të nderuar demokratë se sa vota mori kandidatja juaj e dobët për kryebashkiake në Durrës, Grida Duma, vetëm 4 vjet më parë? Jua them unë, 42 mijë vota, ose 8 mijë vota më shumë se zonja Sako e PS-së në zgjedhjet e 30 qershorit.
Po PD + LSI + PDIU, e dini ju të dashur demokratë se sa vota morën para 2 viteve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017? Jua them unë, 48 mijë vota, ose 14 mijë vota më shumë se sa zonja Sako, kandidate e PS-së në zgjedhjet e 30 qershorit.
Vetëm me këtë shembull që ju solla, ju demokratët keni gjithë të drejtën e zotit që t’i jepni kryetarit tuaj, Lulzim Bashës, një dru të mirë politik, sepse, së paku, ju hoqi mundësinë të drejtoni pas 19 vitesh bashkinë e Durrësit. Nuk i hyra kalkulimeve për bashkitë e tjera, sepse më mjaftoi shembulli i Durrësit për të nxjerrë në pah dritëshkurtësinë e kryetarit tuaj. Nëse nuk ia përplasni në sy këtë të vërtetë duke e detyruar të ndryshojë qasje, atëherë e meritoni plotësisht liderin që keni. Edhe opozitën e përjetshme, sigurisht! (TemA)