Një sulm i papritur dhe disi i çuditshëm shpërtheu befas ndaj ministres së Drejtësisë, zonjës Etilda Gjonaj. Them i papritur sepse deri më sot ajo është nga ministret që ndonëse ka një post shumë të rëndësishëm, nuk është përfolur në asnjë rast për asnjë aferë korruptive. Jo vetëm kaq, por ajo duke qenë në rolin e Koordinatores Kombëtare Antikorrupsion, nuk mund t’ia lejojë vetes të bëhet objekt akuzash, të çfarëdollojshme, për të cilat ka detyrë vetë t’i denononcojë në bazë të rezultateve që arrijnë institucionet që janë pjesë e këtij koordinimi.
Në të gjithë këto muaj si ministre, zonja Gjonaj ka mbajtur një profil të ulët publik në kuptimin që nuk është bërë pjesë e debateve të nxehta pozitë- opozitë. Ajo ka ruajtur linjën e saj institucionale dhe me aq sa e kam ndjekur, më kanë lënë përshtypjen e një njeriu gjakftohtë, jo tendencioz, me një gjuhë shumë juridike dhe ku nuk gjen dot asnjë mllef, përbuzje, arrogancë e të tjera të ngjashme në fjalorin e saj. Rast i rrallë ky duke e krahasuar me paraardhësit e vet që seç kishin një staturë prej inkuizitori kur flisnin.
Rasti më i fundit ku ajo u bë objekt përfolje, ka të bëje me udhëtime pune që ajo ka bërë në disa kancelari evropiane, ku ka përfaqësuar Shqipërinë. Fakti që një portal tejet periferik, i kërkon ministres faturat e udhëtimit dhe ajo ia vë në dispozicion menjëherë, është një tregues se kemi një ministre me të vërtetë dinjitoze për pozicion që mban. Sepse ai portal është aq anonim saqë në një kohë tjetër, të këtyre që bëjnë moralistin, as që do i ishte protokolluar kërkesa.
Siç dihet mediet tona nuk e kanë zakon që të analizojnë një info që i vjen, ta përpunojnë atë në të gjitha dimensionet e saj, duke nxjerrë konkluzione jo vetëm sipërfaqësore, por të thelluara. Pra duke marrë, bie fjala, faturën si indicie, pastaj të ndjekin të gjithë arsyet se përse shifrat e asaj fature janë të tilla dhe, pasi t’i kenë pyetur të gjitha palët e interesuara (aty ku ekziston edhe dëshira për t’u përgjigjur), të dalin në publik me materialin e plotë.
Portali që e mori i pari thjesht e publikoi pa analizë, të tjerët e morën të gatshme dhe as denjuan ta ndjekin në dinamikë dhe veç të shikoje se si përbaltej një ministre e cila, siç thashë, deri më sot ka shfaqur një linjë drejtimi për t’u admiruar.
E dini çfarë? Mua nuk më impresionojnë një a dy fatura me të cilat përbaltësit duan që t’ia ulin personalitetin në publik kësaj ministre tejet fisnike. Jo vetëm pse një ministre nuk merret me këto çështje administrative, por sepse në fund të fundit ajo nuk ka shkuar atje për qejfet e saj. Kur përfaqëson shtetin në takime pune mund të të rastisë që në një apo dy raste, sipas dinamikës së punës, të qëllon të rrish edhe në hotel që ka kosto 700 euro.
E kuptoj padurimin e disave që kaq duan dhe i bëjnë llogaritë me ndihmën ekonomike e të tjera si këto që demek do ishin kursyer po të kishte qëndruar në një hotel pensioni. Shikoni, ministrja mund të flinte edhe në ndonjë zyrë të ambasadës, apo mund të gjente hostel dhe në periferi qyteti dhe kështu këtë atdhetarët e parasë do të ishin të qetë e të lumtur që u kursyen paratë e popullit.
Meqë e kanë këtë merak, po u bëj një ofertë. Janë një takëm deputetësh opozitar që kanë kërkuara të marrin pagat për muajt që bojkotuan Kuvendin. Janë edhe gjithë pjesa e deputetëve të PD, LSI, etj., që pasi dorëzuan mandatet përfitojnë gjysmë page për një periudhë nga 18 muaj deri 3 vjet.
Unë e kuptoj që deputeti është një detyrë shumë e nderuar dhe ai duhet trajtuar me dinjitet kur nuk është më i tillë. Ama, këtë përfitim duhet ta kenë ata deputetë që marrin pjesë rregullisht në komisionet parlamentare, në seancat plenare dhe që e përfundojnë të plotë mandatin e tyre 4 vjeçar.
Çfarë taksirati kanë taksapaguesit të paguajnë deputetë bojkotues me miliona lekë, që pasi kanë nxitur turmat t’i vënë zjarrin kryeministrisë e më pas ish-vendit të tyre të punës, Kuvendit, të djegin edhe mandatet e sërish të paguhen me para publike?!
Këto janë shpërdorime fondesh të taksapaguesve, e jo një udhëtim pune i ministres Gjonaj për të cilin asnjë SHQUP-ist nuk mund të thotë dot një akuzë të vetme. Ajo me punën e deritanishme ka treguar një profesionalizëm të lartë dhe nuk ka bërë kurrë kompromis me antiligjin. Prandaj sulmi i koordinuar ndaj saj ngjan me shumë si kosto që ajo duhet të paguaj për tolerancën zero që po tregon në luftën antikorrupsion. Fijet e interesave që janë prekur, nuk të lënë kaq kollaj të qetë.
799 euro eshte kosto shume e larte! Hoteli ku mund te rrinte ministrja koston jo me teper se 200 euros!!! Mos i merrni njerezit per idiota!! Jam expert mekanik jetoj qe prej 27 vjetesh be europe, udhetoj dy here ne muaj!! Kam fjetur beoer hotele le ministra europiane ! Mjaft me me leket e nje populli qe ska te haje!!
Përgjigju