Ketro: Pyetja së cilës Lulzim Basha duhet t’i japë përgjigje menjëherë

9 Nëntor 2019, 18:08| Përditesimi: 9 Nëntor 2019, 18:11

  • Share

Dua të them qysh në fillim që Partia Demokratike e ka më të fuqishme propagandën për të goditur kundërshtarin, sesa Partia Socialiste. Kur zbulon qoftë edhe inkriminimin sado të vogël të një përfaqësuesi të mazhorancës, i qepet me bukë në trastë, deri sa ta shohë atë të rrëzuar nga funksioni si i emëruar apo i zgjedhur.

Bie fjala, kryebashkiakut të Vorës, ndonëse ai rezultoi i pafajshëm nga drejtësia greke, PD-ja arriti që ta kompleksojë mazhorancën qeverisëse, me një sulm të vijueshëm kundrejt tij dhe PS-së dhe si rezultat sot Agim Kajmaku nuk edhe më në detyrën ku e zgjodhi vota e popullit më 30 qershor. Dhe e gjitha pse ai nuk kishte shkruar në formularin e dekriminalizimit se ishte ndaluar nga policia greke përpara 16 viteve.

Nga krahu tjetër, ai i mazhorancës, ka nje mefshtësi kur bie fjala për politikanë nga krahu i opozitës për t’i vënë ata me shpatulla pas murit kur kundër tyre ka akuza për afera të dënueshme penalisht. Rasti më i fundit është ai i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me financimet ruse për lobim në SHBA.

Nëse për eksponentë të PS-së, Partia Demokratike investohet fuqishëm me njerëzit e vet për t’i gjetur problematika kundërshtarit, nga ana e saj, Partia Socialiste, është shumë indiferente në këtë aspekt, ndonëse duke qenë në pushtet ka më shumë instrumenta për t’u informuar.

Në rastin e Lulzim Bashës ishte një investigim i një gazete amerikane, “Mother Jones”, e cila arriti të zbulojë një shume prej 650 mijë dollarësh të padeklaruara nga Partia Demokratike për lobim në SHBA. Pra, po të mos kishte qenë kjo gazetë, kjo aferë nuk do merrej vesh në Shqipëri.

Partia Demokratike, në lidhje me këto para, akuzon kryeministrin Rama se ka shpifur duke stisur një histori të paqenë. Në fakt, ai që e nxorri zbuluar Lulzim Bashës ishte vetë lobuesi i kontraktuar prej tij, Nick Muzin. Ai fillimisht kishte depozituar në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së shumën prej 25 mijë dollarësh, shumë e cila ishte deklaruar edhe nga PD-ja në KQZ. Por, i frikësuar se mos diferenca prej 650 mijë dollarësh zbulohej nga autoritete amerikane, Nick Muzin u detyrua vullnetarisht që të bënte një deklarim të dytë duke treguar këtë shumë parash si dhe PD-në dhe Lulzim Bashën si pagues të saj.

Prokurorët që e hetuan këtë çështje e lanë në hije këtë deklarim zyrtar të Nick Muzin, duke anashkaluar ngritjen e një akuze penale. Prej kësaj ndihme që mori prej tyre, Lulzim Basha, ashtu si i mbyturi që kapet pas fijes së barit, po përpiqet që të krijojë alibi se gjithë këto akuza që rëndonin mbi të i ka ngritur kryeministri Rama. Strategjia e Bashës është që këtë çështje ta politizojë duke e zhveshur nga akuzat penale dhe duke i dhënë zë akuzave politike.

Në fakt, Edi Rama dhe gjithë kupola e mazhorancës e kanë lënë në dorë të drejtësisë këtë hetim dhe veç disa deklaratave sporadike, kurrë nuk e ngitën në rang kauze për ta fundosur Lulzim Bashën. Duke parë se çfarë Partia Demokratike i bëri një të pafajshmi me vendim gjykate si Agim Kajmaku, fundja një kryebashkiak tejet periferik për staturën e papërfillshme që ai kishte në PS, krahasoni se sa butë është trajtuar Lulzim Basha nga mazhoranca duke mos e mbajtur për asnjë çast, as atë e as drejtësinë, nën trysni.

Gjithsesi, pavarësisht këtyre, por duke u nisur nga alibia që Lulzim Basha kërkon të ngrejë, e sfidojmë me një pyetje konkrete e cila kërkon përgjigje të menjëhershme prej tij.

Ju, Lulzim Basha, kur jeni kaq i sigurt se nuk keni kryer në emër të Partisë Demokratike asnjë transfertë të paligjshme për llogari të lobistit tuaj Nick Muzin, përveç 25 mijë dollarëve tashmë të deklaruara, përse nuk e keni paditur atë për shpifje në lidhje me shumën prej 650 mijë dollarësh?!

Përse u dashka të konsiderohet prej PD-së si shpifës kryeministri Rama apo kushdo tjetër që ia thotë të vërtetën në sy Lulzim Bashës, duke u bazuar tek ajo çfarë shkruan “Mother Jones” e cila nga ana e saj citon dokumentet e Nick Muzin, dhe të mos konsiderohet drejtpërdrejt si shpifës nga PD-ja vetë Nick Muzin i cili është burimi kryesor nga i cili merr zhvillim ngjarja!!!

Në rast se Nick Muzin-it ato para i kanë ardhur nga burime të tjera, atëherë Lulzim Basha e ka shumë të lehtë ta fitojë gjyqin kundër tij. Biles kjo do kontribuojë që edhe drejtësia amerikane të shtojë një akuzë të re ndaj Nick Muzin-it, për deklarim të rremë të burimit të të ardhurave.

Nëse Lulzim Basha nuk ndërmerr asnjë hap për ta paditur për shpifje lobuesin e vetë, Nick Muzin, atëherë Lulzim Basha do të mbetet përgjegjësi i vetëm dhe kryesor i pagesës së 650 mijë dollarëve. Rrugë të mesme në këtë rast, nuk ka!

Komento

Komente

  • Hinglateri: 09/11/2019 18:19

    Bashe kokrra e legenit hiqet si ii virgjer por eshte nje baxhelle qe nuk e ka shoqin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?