Skerdi Faria

'Këtu bëhesh shkencëtar, por mbetesh i varfër', fjalia që ndryshoi jetën e doktor Skerdit

28 Tetor 2023, 14:41| Përditesimi: 28 Tetor 2023, 15:05

  • Share

“Këtu bëhesh shkencëtar, por mbetesh i varfër”. Ka qenë kjo fjalia që duket se ka ndryshuar jetën e mjekut Skerdi Faria, i cili pas përfundimit të fakultetit me mestaren 9.5 kishte nisur punën në Institutin e Shëndetit Publik.

“Kisha qejf të bëhesha shkencëtar, por nuk dëshiroja të mbetesha i varfër”, tregoi ai në një intervistë televizve.

  “Nuk më dilnin lekët për të ngrënë”, tha ndër të tjera mjeku i njohur duke ju referuar viteve kur ishte student. Ai kishte ardhur në Tiranë nga Ballshi, ndërsa kishte përfunduar gjimnazin me medalje të artë. Por duke qenë se të dy prindërit mësues i kishin hequr nga puna në fillim të viteve ‘90, u detyrua të dalë si shitës ambulant pas mësimit, në mënyrë që të përballonte jetesën.

“Biznesi i parë në thonjëza ishte shitja e verës në Pazarin e Ri. Pastaj tek bordurat e Gjykatës së Lartë kam shitur lule plastike. Edhe ky biznes vajti keq.  Më pas me vajin e makinës, por kur u hap kupola e Tiranës na falimentoi. Unë me ato para që kisha fituar mora me qera një dyqan të vogël fruta- perimesh të kohës së komunizmit, bëra ca punime brenda dhe krijova një bar- restorant të vogël. Çohesha në 5  të mëngjesit që të hapnim restorantin, gatuaja paçe, pilaf, tasqebap, në 8 shkoja në fakultet dhe vija era mish e era qepë. Pas leksioneve, me një biçikeletë (e më vonë mora një motor të vogël), bëja furnizimet tek Pazari i Ri dhe pasdite punoja aty në lokal. Në darkë studioja dhe të nesërmen e njëjta gjë”, tregoi mjeku gjatë intervistës.

 

Duke shfrytëzuar një vizë që mori për një konferencë mjekësore në Romë gjatë kohës që punonte në Institutin e Shëndetit Publik në vitin 1997, Dr. Skerdi vendosi të qëndrojë në Itali, ku kreu specializimin për higjienë preventive, studimet doktorale e më pas specializimin e dytë për anestezi dhe reanimacion. Punoi disa vite në shtetin italian ku fitoi një tjetër përvojë dhe në vitin 2011, pas disa ikjesh e kthimesh mes Shqipërisë dhe Italisë, ai vendos përfundimisht të investojë në mjekësinë estetike në Shqipëri, duke themeluar KEIT.

Sot një spital ditor, i vetmi i këtij lloji i liçencuar në vend, KEIT numëron në muaj mbi 300 operacione të kryera  në fushën e kirurgjisë estetike dhe më shumë se 170 persona të punësuar, nga të cilët 30 kirurgë italianë.

KEIT është sot lider i turizmit mjekësor në vend me një numër të lartë pacientësh nga vende të ndryshme të Europës dhe Britania e Madhe.

Gjimnazisti me medalje ari, që themeloi KEIT

Pasi përfundoi shkollën e mesme me medalje të artë, Skerdi Faria kreu studimet e larta për mjekësi në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1995 me mesatare 9.5.

Punoi për 1 vit në Institutin e Shëndetit Publik në kryeqytet dhe në vitin 1997 u transferua në Romë ku punoi fillimisht në “Istituto Superiore di Sanità” dhe 1 vit më pas nisi specializimin në “Higjienë e Mjekësi Preventive”.

Me tej, kreu njohjen e diplomës në “La Sapienza” dhe mori laurea në Mjekësi e Kirurgji.

Mbrojti doktoratën në universitetin e Romës “La Sapienza” me temën e një studimi shkencor mbi infeksionet spitalore, si bashkëpunim i “Istituto Superiore di Sanità” dhe QSUT.

Ne vitin 2009 përfundoi specializimin për Anestezi e Reanimacion në Universitetin e Romës, “Tor Vergata”.

Te dy specializimet dhe doktoratën i ka përmbyllur me lode, vleresimi maksimal në Itali.

S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?