Me jetëgjati te Tirana, bardheblutë e mbyllin me Orges Shehin! Trajneri për 'Report TV': U shkarkova!

5 Tetor 2023, 12:02| Përditesimi: 5 Tetor 2023, 13:51

  • Share

Orges Shehi nuk është më trajner i Tiranës. Drejtuesit bardheblu i kanë komunikuar durrsakut vendimin mëngjesin e sotëm, teksa mbajtën një takim në ambientet e kompleksit Skënder Halili. Veton për këtë e vendosi presidenti Refik Halili, ndërsa u përcoll nga drejtori Tefik Osmani në prezencë edhe të zëvendës trajnerit Artan karapici. Arsyeja e vendimit janë rezultatet e dobta.

Mbyllet kështu aventurë e trajnerit më jetëgjatë në historinë e Tiranës, i cili e mori këtë detyrë më 27 janar të 2021, duke pasuar Nevil Deden. Që prej asaj periudhe Orges Shehi mbylli dy sezone të plota, por ka kontribuar në total për 4 sezone, përfshirë edhe këtë aktualin që ka luajtur 7 ndeshjet e para.

Për Report TV vetë trajneri bëri të ditur se ‘ishte një shkarkim dhe jo ndërprerje me konsensus e marrëveshjes’. Më herët drejtuesit i kishin kërkuar të largohej për të shmangur dëmshpërblimin, por trajneri nuk ka pranuar.

Shehi kishte kontratë me Tiranën deri në fund të këtij sezoni, ndërsa përplasjet e para me drejtuesit bardheblu nisën në fundin e sezonit të kaluar, por u zbutën gjatë verës teksa Tirana luajti në Kupat e Europës. Kjo shpjegon edhe faktin se përse u shkarkua një trajner në javën e 7 kur Tirana është vetëm 3 pikë larg kreut dhe ka një ndeshje më pak. Me Tiranën Orges Shehi fitoi një titull kampion dhe një superkupë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?