Klubi i Futbollit Tirana ka prezantuar stafin e ri. Në një konferencë për mediet dolën trajneri i ri Bledi Shkëmbi si dhe drejtori i sapoemëruar, Agim Ibraimi. Ky i fundit tha se te Tirana lojtarët nuk do vijnë sa për numër, teksa trajneri Shkëmbi shtoi se nëse dështon atëherë ai largohet, ndaj të gjithë duhet të punojnë për suksesin e ekipit.
“Falenderoj drejtuesit për mundësitë se bëhet fjalë për Tiranën me histori të madhe. Unë e di mirë çfarë më pret dhe ku kam ardhur, falenderim edhe për Federatën se më dhanë mundësinë t’i bashkohem këtij klubi të madh. Isha trajner i U17, por dëshira e drejtorit dhe presidentit bënë që të merrja përsipër Tiranën. Kam drejtuar skuadra të tjera, por Tirana është diçka tjetër.
Marrëdhënia me tifozët? “Nuk jam shquar si afërt me ta edhe kur isha futbollist, më respektojnë dhe i respektoj. Tifozët e Tiranë i njoh mirë, edhe kur kam qenë kundërshtar kam folur mirë për ta. Dua që tifozët t’i bëjmë vërtet në lojtarin e 12. Kur i kam pasur kundërshtar më kanë vënë në presion. Tifozët e “Tironës” të jenë lojtari i 12, nëse mua nuk më shkon puna atëherë do iki, por skuadra është përgjithmonë", tha Shkëmbi.
Më pas foli edhe drejtori i ri sportiv, Agim Ibraimi. Ai tha se te Tirana nuk do vijnë më lojtarët sa për numër.
“Është nder dhe kënaqësi të jem pjesë e kësaj skuadre dhe me tifozeri të flaktë. Kanë histori të madhe që më motivon, çdo rrugëtim i ri nuk është i lehtë. Jemi në rindërtim e sipër, do të tregohemi të kujdesshëm për të marrë vendimet e duhura në periudhë afatgjate. Do të shohim edhe të rinjtë që të kemi sukses në vijim”.
Merkato vendase apo nga jashtë? “E kemi bazë tregun vendas, por për kualitet na duhen lojtarë jashtë vendi. Ai që vjen nga jashtë do të jetë përforcim i vërtetë jo për numër. Kjo fanellë kërkon lojë ofensive. Besoj se do të jetë kështu”, tha Ibraimi.
Gjatë konferencës, Grent Halili zbuloi edhe dy lojtarë të tjerë të talentuar për të cilët Tirana ka marrë oferta nga jashtë dhe po studion nëse t’i pranojë apo jo. Fjala është për Ermal Metën, një zbulim i bardhebluve në sezonin e fundit. 18-vjeçari tregoi se ishte një “xhol” i vërtetë në fushë për bardheblutë duke qenë se mbuloi me sukses disa detyra në fushë ai ato të mbrojtësit dhe mesfushorit. Ndër të tjera, Meta është edhe pjesë e Shqipërisë U20.
Lojtari i dytë për të cilin Tirana ka ofertë, është Jordi Jaku. 18-vjeçari mbërriti në tetorin e vitit 2023 te Tirana dhe në minutat që u aktivizua tregoi vlera në mesfushë. Ashtu si edhe Meta, edhe Jaku është pjesë e Shqipërisë, teksa ai aktivizohet me ekipin kuqezi të U19-tës. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse Tirana do t’ia dalë t’i mbyllë këto transferime dhe se sa do të përfitojë nga shitja e dy talenteve.