Tensionet në veri të Kosovës, Kurti takon krerët e KFOR dhe EULEX-it: Nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë

26 Dhjetor 2022, 08:20| Përditesimi: 26 Dhjetor 2022, 22:58

  • Share

Kryeministri Albin Kurti priti në takim komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX.

Në takim u fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të  Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend. Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.

Nga ana tjetër misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë për mediat në Kosovë se “ka dëgjuar dhe ka parë” të shtëna në afërsi të një patrulle të tij në Zubin Potok njëra nga katër komunat e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dieles, ndërsa KFOR-i tha se nuk ka të lënduar e as dëme materiale.

Më herët, Policia e Kosovës hedhur poshtë raportimet e mediave serbe se ka qenë e përfshirë në shkëmbim zjarri në Zubin-Potok.

"Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi. PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt", thuhet në njoftimin për media.

Mediat serbe kanë raportuar të dielën mbrëma se rreth orës 19:45 janë dëgjuar shkëmbime zjarri në Zubin Potok, dhe se të shtënat kanë ndodhur pasi Policia e Kosovës "ka dashur të heqë njërën nga barrikadat" në këtë komunë në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi në Facebook se “lojërat e presidentit serb Alesandër Vuçiç dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë"".

"Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t'i mohojnë të gjitha sulmet", shkroi ai.

Ai tha se barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se "Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës".

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka mohuar se serbët kanë qëlluar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zubin Potok.

“Informatat tona nga terreni thonë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it. “Serbët në veri i respektojnë pjesëtarët e KFOR-it, të cilët janë aty në përputhje me Rezolutën 1244”, tha ai për televizionin serb, Pink.

Ai tha se situata aktuale në Zubin Potok është "absolutisht e qetë" dhe se "njerëzit janë të vendosur të qëndrojnë në barrikada". Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, tha mbrëmjen e 25 dhjetorit se është takuar me Vuçiçin, ku më pas është nisur për në Rashkë - komunë në jugperëndim të Serbisë, shkruan REL.

Si u përshkallëzua konflikti në veri të Kosovës?
Disa serbë në veri të Kosovës, që nga data 10 dhjetor ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet ndodhën teksa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviç, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues të tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor. Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm. Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.

Ora 21:47
Sulmet në veri të Kosovës, Haradinaj: Të patolerueshme! Duhet të ndalen menjëherë, sulmuesit të dalin para drejtësisë

1670924635_99b8b84e436329c69a8d504636aaae5eXL.jpg

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka dënuar sulmet në veri të Kosovës ndaj gazetarëve dhe policisë. Sipas tij, janë të patolerueshme dhe duhet të ndalen menjëherë.

“Dënojmë ashpër sulmet e vazhdueshme në veri të vendit ndaj gazetarëve dhe forcave të rendit, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe Eulexit. Këto sulme, sikur ky i sotëm ndaj gazetarëve të Klan Kosova, janë të patolerueshme dhe duhet që të ndalen menjëherë! Njëherësh, kërkoj nga organet përgjegjëse të jenë më vigjilentë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, në menyrë që t’iu mundësohet të punojnë të lirë nga kërcënimet. Sulmuesit të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ora 20:48
Ish-emisari i SHBA-së fajëson Kurtin për tensionet në veri të Kosovës: Liro të burgosurit serb

Ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell reaguar për situatën e krijuar në veri të Kosovës, ku dy pjesëtarë të televizionit Klan Kosova u dhunuar, duke thënë se dhuna e ditëve të fundit në Kosovës ka ndodhur për shkak se Albin Kurti shkel marrëveshjet ndërkombëtare.

Grenell fajëson veprimet e Albin Kurtit për tensionet e krijuara në veri, ndërkohë që nuk ka përmendur barrikadat e vendosura nga grupe të dyshimta kriminale, të cilat disa herë kanë sulmuar gazetarë e policë e së fundmi kanë shtënë edhe pranë patrullave të KFOR-it.

Madje, Grenell i ka kërkuar Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken që të diskutojë me kryeministrin Kurti për lirimin e të burgosurve serb dhe mos-arrestimin e protestuesve paqësor.

“Dhuna e fundit në Kosovë, është e papranueshme. Albin Kurti vazhdon aksionet e tij unilaterale në veri, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare", thotw Grenell.

Në një njoftim, Antony Blinken ka thënë se Kurti duhet të përmbahet nga arrestimi i protestuesve paqësorë dhe bie në dakortësi me Grenell për lirimin e të burgosurve serbë.

Ora 20:20
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë: Situata në Kosovë nuk është larg një konflikti më të gjërë

Duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, Zëdhënësia e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ka thënë se situata në Kosovë nuk është larg shpërthimit të një konflikti të një shkalle të gjerë.

“Përkeqësimi i ri që tregon bindshëm se devijimi nga korniza aktuale rregullative për Kosovën, vetëm provokon ekstremistët e Prishtinës. Situata nuk është larg nga një konflikt real i shkallës së gjerë”, ka thënë Zakharova, transmeton medium propagandistik i regjimit të Vuçiqit, B92.

Kujtojmë se sot gjatë ditës, pas një takimi mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Komandantit të i KFOR-it, janë pajtuar që barrikadat e vendosura në veri duhet të hiqen së shpejti për ta mundësuar lirinë e lëvizje.

 

Ora 19:14
Sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, reagon ambasadori amerikan: Gazetaria e lirë është gurthemel i demokracisë, ndaloni kërcënimet!

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj dy pjesëtarëve të ekipit të televizionit Klan Kosova në fshatin Zupç të Zubin Potokut duke thënë se e dënon ashpër sjelljen e personave dhunues dhe se media duhet të jetë e lirë nga kërcënimet.

Gazetarja dhe shoferi kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spital.

“SHBA-ja i bashkohet Asociacionit t Gazetarëve të Kosovës – AGK dhe Bashkimit Evropian në Kosovë për të dënuar fuqishëm sulmin e fundit në seri kundër gazetarëve të Kosovës. Mediat duhet të jenë në gjendje të punojnë lirshëm nga kërcënimet me dhunë dhe frikësim. Gazetaria e lirë dhe e pavarur është gurthemel i demokracisë”, ka thënë Hovenier.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se të hënën është sulmuar një ekip i gazetarëve të televizionit Klan Kosova në fshatin Zupç të Zubin Potokut, duke lënduar dy nga pjesëtarët e ekipit dhe duke shkaktuar dëme materiale. “Sulmi ndaj tyre dyshohet se është kryer nga disa persona të maskuar, të cilët me mjete të forta (gurë) kanë sulmuar automjetin e mediumit dhe gazetarët të cilët ishin në detyrë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, që më tutje thotë se ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.

Ora 17:24
Urdhri i Vuçiç ndaj ushtrisë serbe: Shkoni në kufi me përforcime, ushtria e sjell artilerinë 2 km afër Jarinjës

 

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e ka urdhëruar të dielën shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç, që të shkojë në Rashkë, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Mojsiloviç ka thënë se situata e agravuar, ditët e fundit akoma më tepër edhe nga media, kërkon praninë e ushtrisë serbe atje.  Ai ka theksuar se detyrat që i janë dhënë  ushtrisë serbe janë shumë të qarta.

Disa media serbe raportuan për shkëmbime zjarri në Zubin Potok dhe sipas tyre kanë ndodhur rreth orës 20:00. Mediat serbe shprehen se kjo kishte ndodhur sepse policia e Kosovës  kishte dashur t’i hiqte barrikadat në këtë komunë.

Ora 16:48
Tensionet në veri të Kosovës, Kurti zhvillon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë: Kërcënimet vijnë nga koordinimi i qeverisë serbe me grupet kriminale

1671087391_asdasddfl.JPG

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën në veri të Kosovës. Zyra e kryeministrit njofton se në takim “u tha se ky kërcënim dhe këto veprime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, e cila po ashtu po përhapë propagandë”.

“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës,  institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it.”

Po ashtu njoftohet se gjatë këtyre 17 ditëve ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in.

“Po ashtu, u ritheksua se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar por siç dihet tashmë, jemi në pritje të veprimeve nga KFOR-i”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas mediave në Kosovë, në takim është thënë se “Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale”, ndërsa ZKM tregon se u potencua edhe se “liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.

Ora 16:26
Sulmohet ekipi i gazetarëve në veri të Kosovës, policia: U krye nga persona të maskuar, u lënduan 2 pjesëtarët e ekipit

1672068485_vv.JPG

Policia e Kosovës ka konfirmuar se të hënën është sulmuar një ekip i gazetarëve të televizionit Klan Kosova në fshatin Zupç të Zubin Potokut, duke lënduar dy nga pjesëtarët e ekipit dhe duke shkaktuar dëme materiale. “Sulmi ndaj tyre dyshohet se është kryer nga disa persona të maskuar, të cilët me mjete të forta (gurë) kanë sulmuar automjetin e mediumit dhe gazetarët të cilët ishin në detyrë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, që më tutje thotë se ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar këtë incident duke thënë se sulmet e tilla janë të papranueshme. “Ky dhe incidentet e mëparshme që e ndikojnë punën e mediave janë të papranueshme. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë. Siguria e tyre nuk duhet të rrezikohet”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së, e cila i dëshiroi shërim të shpejtë ekipit të gazetarëve.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim lidhur me sulmet ndaj gazetarëve në veri – deri më tani janë raportuar gjashtë incidente të tilla – për të cilat ka thënë se janë “kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri”. “AGK-ja, kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Disa nga gazetarët që po raportojnë nga veriu i Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, kanë thënë më herët për REL-in se nuk kanë mbrojtje të duhur gjatë raportimit. Barrikadat në veri janë ngritur që nga 10 dhjetori nga disa serbë lokalë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili akuzohet për organizimin e “sulmit terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Që nga atëherë janë shënuar një numër i incidentesh, ku përveç gazetarëve janë sulmuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe trupave ndërkombëtare, si EULEX dhe KFOR./REL

Ora 15:24
Ministria serbe e Mbrojtjes: Do të rrisim numrin e forcave speciale të ushtrisë

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha të hënën se numri i pjesëtarëve të njësive speciale të Forcave të Armatosura Serbe do të rritet nga 1.500 në 5.000 deri në fund të vitit 2023. Një vendim i tillë erdhi, tha ai, “me urdhër” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në deklaratën e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, Vuçeviç nuk ka dhënë arsye konkrete për këtë vendim, përveç se tha që Forcat e Armatosura Serbe do të jenë "grushti më i fortë që do të copëtojë dëshirat dhe qëllimet e këqija" të atyre që "dëshirojnë ta dëmtojnë popullin tonë”.

“Dua ta informoj opinionin e Serbisë dhe jo vetëm të Serbisë, se mbrëmë gjeneral [Milan] Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, dhe unë morëm një detyrë, një urdhër nga Presidenti i Republikës si Komandant i Përgjithshëm [Aleksandar Vuçiç], për të rritur numrin e pjesëtarëve të njësive speciale në Ushtrinë Serbe deri në fund të vitit 2023”, tha Vuçeviq.

Vuçeviç tha se ushtria serbe do të ketë 5.000 ushtarë të trajnuar dhe të përgatitur me armët më moderne, të gatshëm “për të mbrojtur atdheun, për të kryer çdo detyrë në çdo kohë dhe në çdo pjesë të territorit tonë”.

Ata do të jenë të gatshëm t'u përgjigjen të gjitha sfidave me të cilat përballet atdheu ynë, shtoi Vuçeviç.

Ky vendim vjen një ditë pasi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq, tha se në mbrëmjen e 25 dhjetorit ka pasur një takim me presidentin e Serbisë dhe udhëheqjen ushtarake lidhur me ngjarjet në Kosovë. Pas atij takimi ai shkoi në Rashkë, në jug të Serbisë.

Mojsiloviq tha për televizionin Pink se situata në Kosovë është e tillë që kërkon praninë e ushtrisë serbe përgjatë, siç ka thënë ai, “vijës administrative”.

Të dielën në mbrëmje, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se ka “dëgjuar dhe parë të shtëna armësh” pranë një prej patrullave të saj në Zubin Potok – një nga katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe.

Mediat në Serbi kanë raportuar të dielën se rreth orës 19:45 janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në Zubin Potok dhe se kjo ka ndodhur pasi policia e Kosovës “dëshiroi të heqë njërën nga barrikadat” e ngritura nga serbët më 10 dhjetor. Ky informacion është mohuar nga Policia e Kosovës.

Situata e tensionuar në veri të Kosovës që nga muaji nëntor është përshkallëzuar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiç – i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për të kundërshtuar arrestimin e tij, grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor. Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Autoritetet në Kosovë thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

Ora 13:49
Kurti pas takimit me krerët e KFOR dhe EULEX: Lëvizja të jetë e lirë, të largohen barrikadat

1671452008_6362e3593563dalbinkurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar komandantin e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it Lars Gunnar Wigemark.

Takimi vjen një ditë pas incidentit me armë zjarri pranë një patrullë të KFOR-it në Zubin Potok. Nga Zyra e Kryeministrit bëhet me dije se u diskutua për situatën në veri.

“U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend”.- tha Kurti.

Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.

Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

Në takim u theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Punëve te Brendshme Xhelal Svecla.

Ora 13:24
Tensionet në veri të Kosovës, KFOR-i nis hetime lidhur me të shtënat afër patrullës në Zubin Potok! Planifikon takime me të gjitha palët

Mbrëmjen e djeshme u raportua për të shtëna armësh në Zubin -Potok, në veri të Kosovës aty ku ndodhet dhe një barrikadë. Lidhur me këtë ngjarje, KFOR ka njoftuar se ka nisur hetimet teksa e cilëson si “incident jodirekt zjarri”.

KFOR thotë se incidenti është regjistruar pranë një patrulle të saj dhe se nuk persona të lënduar dhe as dëme materiale. Njëkohësisht njofton se janë planifikuar takime mes të gjitha palëve.

Njoftimi i KFOR-it: 

KFOR-i po heton një incident indirekt zjarri më 25 dhjetor në afërsi të patrullës së KFOR-it të NATO-s. Në incident janë përfshirë persona të panjohur të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për zbardhjen e të gjitha fakteve.

Duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën.

Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i nxisim të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut.

Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces.

KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut.

Ora 11:38
Mediat serbe: Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA ultimatum Vuçiçit! I lënë 24 orë afat për të hequr barrikadat në veri të Kosovës

24 orë afat që serbët e Kosovës të heqin barrikadat në veri të vendit. Ky raportohet të jetë ultimatumi që shtetet e Kuintit i kanë vendosur presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Media serbe “Informer” raporton se ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar kërkesën presidentit Vuçiç gjatë mbrëmjes.

“Ky është informacion jozyrtar, i verifikuar nga disa burime, pikërisht sot në mbrëmje, rreth gjysmë ore më parë, ambasadorët e Quinta-s i kanë dërguar ultimatum të hapur Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që brenda 24 orëve të largohen barrikadat, në të kundërtën. Kurti nuk e pengon më zbatimin e ligjit. Pra do ta lënë Kurtin të sulmojë serbët.”, ka thënë kryeredaktori Dragan J. Vuçiqeviç.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vzshh: 27/12/2022 04:43

    Grenell duhet te ndaloje ndihmen ndaj terroristeve serb. Ndihmesa qe nje amerikan i jep terrorizmit dhe terroristave eshte e paligjshme dhe e denueshme me ligj. Ky bq, duhet paditue ne gjyq, por edvin ramchari e ka fytin e tradhetarit te mbushur si greku brimen prapa!

    Përgjigju
  • Arbërori: 26/12/2022 15:27

    Ku je o tradhtar o Edvin shkjau shqipfolës ti q… robt e shkjaut ku i ke

    Përgjigju
    • Turi: 26/12/2022 19:30

      He mer vemje, si gjithmon trim tastjere je. Shko mbro vendin nga shkijet e mos bej gam gam kot.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?