Dy turistë të rinj të quajtur Alireza Karbasi dhe Mehdi Abai u vrarë nga plumbat e forcave Basij gjatë operacionit “Luftojmë kundër Mossad-it”, në luginën e Hamadanit. Në një fshat të Sistan Baluchistanit, 11 gra mbetën të plagosura nga të shtënat me armë zjarri nga Gardat e Republikës Islamike. Një tjetër grua u vra. Një regjizore nga Shirazi, e quajtur Negin Aminzadeh, është arrestuar. Raquel Ataian, një vajzë nga komuniteti Bahá’í, është burgosur dhe dërguar në një vendndodhje të panjohur. Dy të rinj kurdë, të quajtur Seyyed Kamal Ebrahimi dhe Younes Tanhayi, janë marrë nga agjentët e Inteligjencës. Edhe Younes Tanhayi, baba i dy fëmijëve dhe banor i fshatit Hamzaabad pranë Mahabadit, është dërguar në burg. Një çift nga Saqaz është arrestuar nga forcat e sigurisë. Farzad Garmabian, 23-vjeçar nga Teherani, është vrarë.
Pas bombardimeve në burgun Evin, autoritetet kanë transferuar të paktën 13 të burgosur të huaj në burgun Fashafoyeh. Gjashtëdhjetë të burgosur politikë janë transferuar në burgun Ghartchak, në jug të Teheranit. Ekziston shqetësimi për sigurinë e tyre.
Buletinet e terrorit
Që prej 24 qershorit, nga fundi i luftës 12-ditore, bisedat në chat janë mbushur me emra e mbiemra qytetarësh të arrestuar, zhdukur, varur dhe vrarë. Buletine terrori që pasqyrojnë atmosferën e tri javëve të fundit në qytetet iraniane. “Kujdes në pikën e kontrollit”, paralajmërojnë. “Nuk gjenden dy djem kurdë”, dhe bashkëngjisin foton. Gjithë ditën, në çdo orë, njerëzit shkëmbejnë mesazhe për të mos humbur gjurmët e atyre që merren dhe për të mos rënë vetë në duart e autoriteteve.
“Që kur filluan bombardimet izraelite mbi Teheranin kemi paralajmëruar: nëse gjithçka mbaron dhe Republika Islamike mbetet në këmbë, do të kthehet kundër nesh”, shkruan për Corriere një gazetar nga kryeqyteti. Dhe ashtu ndodhi. E dobësuar jashtë, diktatura e Ali Khamenei – i cili dje u shfaq sërish publikisht për herë të parë që nga fillimi i luftës me Izraelin, gjatë një ceremonie fetare – e ka drejtuar armën nga brenda, ndaj popullit iranian.
Paranojakë dhe më të dobët se kurrë më parë, pas armëpushimit të 24 qershorit, ajatollahët kanë shumëfishuar arrestimet në të gjithë vendin. Akuza për të gjithë është “bashkëpunim me armikun”. Armiku është Izraeli, Mossad-i, Shtetet e Bashkuara, vendet “armike”. Arrestojnë ata që konsiderohen disidentë – mjafton një postim në rrjete sociale për ta – këdo që ngjall dyshim. Arrestojnë burra e gra që i përkasin minoriteteve.
Gjatë ditëve të fundit, janë arrestuar edhe 50 persona të tjerë në operacione të reja policore, të akuzuar për bashkëpunim me Izraelin. Bastisjet janë kryer në rajonet me minoritete etnike të Kurdistanit dhe Baluchistanit, ku veprojnë lëvizje separatiste. Mjedise të opozitës kanë raportuar gjithashtu presione mbi komunitete të tjera – hebrenj, Bahá’í – që në sytë e aparatit të sigurisë mund të jenë “mbështetje e mundshme e sionistëve”.
Makthi i spiunazhit
Kështu, vetëm brenda tre javësh, regjimi ka futur pas hekurave mbi 1.000 persona. Por nuk veprojnë vetëm nëpër rrugë. Parlamenti ka diskutuar dhe miratuar një ligj që parashikon dënimin me vdekje për këdo që akuzohet për spiunazh. Këto akuza çojnë në gjyqe jo të drejta, pa avokatë të pavarur dhe pa procedura të rregullta.
“Si një kafshë e plagosur, Republika Islamike i përgjigjet kërcënimit të perceptuar me një brutalitet të jashtëzakonshëm”, thotë Hadi Ghaemi, drejtori i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran. “Autoritetet iraniane arrestojnë pa shkak dhe çojnë njerëz në gjyq për akte kundër sigurisë kombëtare: kjo bëhet si formë frikësimi”.
Pa internet
Ata e fikin internetin për të mos u përgjuar dhe për ta detyruar Iranin të jetojë në errësirë. Ndalohet shpërndarja e informacioneve me mediat e huaja, postimi i imazheve të dëmeve pas bombardimeve dhe, natyrisht, ndalohet çdo kritikë ndaj regjimit në rrjetet sociale: përfundon me litar në qafë.
Ka shqetësim të madh edhe për dy studiuesit francezë, Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të ndaluar prej gati tre vitesh në burgun Evin. Tani ata akuzohen për “korrupsion mbi Tokë, veprimtari spiunazhi në favor të Izraelit dhe komplot për rrëzimin e shtetit”. Akuza që rrisin rrezikun për një dënim me vdekje dhe që gjithashtu përbëjnë një armë shantazhi ndaj Parisit.
Regjimi po rikthen një kartë që në të kaluarën i ka sjellë përfitime në përballjet me Perëndimin. Qytetarët europianë po shndërrohen në pengje dhe monedhë shkëmbimi në duart e mullahëve. Dhe, në fakt, Teherani ka njoftuar kapjen e të paktën tre të huajve, të ndaluar – sipas versionit zyrtar – sepse po mblidhnin informacione për vende ushtarake.
Në ditët e luftës, autoritetet kanë arrestuar gjithashtu dhjetëra afganë të dyshuar për spiunazh për Izraelin. Rreth pesë milionë afganë jetojnë në Iran dhe vetëm në muajin qershor janë dëbuar 256 mijë. Mediat zyrtare thonë: “Spiunazh”./Corriere della sera
Komente
