Foto nga lufta në Ukrainë

Lufta në Ukrainë/ Mediat e huaja: Tre avionë luftarakë rusë u kapën mbi Poloni! Norvegjia: Rusia ka dërguar nëndetëse me armë bërthamore në Baltik

14 Shkurt 2023, 07:04| Përditesimi: 14 Shkurt 2023, 22:54

  • Share

Lufta në Ukrainë ka arritur ditën e 355-të. Ministria holandeze e Mbrojtjes tha se dy prej avionëve të saj luftarakë F-35 kapën dje një formacion prej tre avionësh luftarakë rusë mbi Poloni dhe i shoqëruan ata jashtë hapësirës ajrore. Kështu raportojnë disa media ndërkombëtare. Ndërkohë NATO do të mbajë sërish mbledhje me aleatët për të diskutuar furnizmin me avionë të Kievit.

Sipas mediave britanike, Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të prodhojë armatime për Ukrainën. Ndërkohë Kievi është zemëruar me ish kryeministrin italian Silvio Berlusconi pas deklaratave të tij se nuk do të takonte presidentin Zelensky. Ndërsa Berlusconi i përgjigjet duke i thënë se nuk është në anën e Putinit. Nga ana tjetër, SHBA vijon thirrjen për qytetarët amerikanë që të largohen menjëherë nga Rusia.

Rreth zhvillimeve të fundit nga Ukraina, Ministria e Shëndetësisë ukrainase thotë se forcat e armatosura ruse kanë bombarduar 540 spitale që nga fillimi i pushtimit. Por një analizë e Institutit Britanik të Studimit të Luftës thotë se Rusia është “e papërgatitur” për të kryer operacione ofensive efektive të mekanizuara.

Javën e fundit, sipas shërbimeve britanike, Rusia do të kishte regjistruar numrin më të madh të vdekjeve që nga fillimi i luftës. Presidenti ukrainas, Zelensky në një deklaratë të bërë mbrëmjen e sotme tha se situata me luftimet në vijën e frontit në lindje të Ukrainës, është jashtëzakonisht e vështirë dhe se po luftohet metër për metër. 

Ora 22:38
Zelensky: Situatë jashtëzakonisht e vështirë me luftimet në vijën e parë! Beteja bëhet metër për metër

Në sektorin lindor të Ukrainës, ku luftimet po zhvillohen në vijën e parë situata është jashtëzakonisht e vështirë. Kështu u shpreh presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes. 

"Situata në vijën e frontit, dhe veçanërisht në rajonet Donetsk dhe Lugansk, mbetet jashtëzakonisht e vështirë. Është fjalë për fjalë një betejë metër për metër"- u shpreh ai.

Ora 19:46
Një tjetër britanik vritet nga rusët në Ukrainë

1676112764_mnjdas.JPG

Një tjetër shtetas britanik ka humbur jetën orët e fundit në Ukrainë, në zonën e përparme të luftës së vazhdueshme me Rusinë. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Jashtme, pa specifikuar për momentin identitetin e tij, apo çfarë po bënte në vend. 

"Ne po i japim mbështetje familjes së një shtetasi britanik që vdiq në Ukrainë dhe jemi në kontakt me autoritetet" në Kiev.

Ai është britaniku i i tetë që raportohet se është vrarë në vendin ish-sovjetik që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë gati një vit më parë, sipas raportit të BBC .

Ora 18:27
Për herë të parë në 30 vite, Rusia pozicionon nëndetësen me armë bërthamore në 'Detin Baltik'

Rusia ka filluar vendosjen e anijeve taktike të armatosura bërthamore në Detin Baltik, për herë të parë në 30 vjet, tha shërbimi i inteligjencës norvegjeze në raportin e tij vjetor të cituar nga Politico . 

"Pjesa themelore e potencialit bërthamor është në nëndetëset dhe anijet sipërfaqësore të Flotës Veriore", duke shtuar se armët bërthamore taktike janë "një kërcënim veçanërisht serioz në skenarë të ndryshëm operacionalë në të cilët vendet e NATO-s mund të përfshihen".

Ora 17:49
U larguan për t’i shpëtuar luftës në Ukrainë, 5 anëtarët e familjes ukrainase gjenden të pajetë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti në Turqi

1605947067_1578406610termeti.jpg

Ata ishin larguar nga Ukraina në prill 2022, duke u strehuar në Antioki, pas pushtimit rus më 24 shkurt. 

Por siç bëhet me dije nga mediat e huaja, një familje nga Zaporizhizha e Ukrainës, janë në mesin e viktimave të gjetura nën rrënojat e pallateve të rrëzuara nga tërmeti që goditi Turqinë.

Yulia Petrova , nëna 46-vjeçare dhe dy djemtë e saj, Zakhar 10-vjeç dhe Matviy pesë-vjeç si dhe babai Petrov Serhiy, mbeti në shtëpi. 

Trupat e tyre të pajetë do të varrosen në Ukrainë.

Ora 16:40
Putin: Po jetojmë në presionin e vazhdueshëm të sanksioneve të pafundme

"Ne jetojmë nën presion të vazhdueshëm nga jashtë, nën të gjitha këto sanksione të pafundme." 

Kështu deklaroi presidenti rus Vladimir Putin, duke folur në një takim me gjyqtarët në gjykatat ushtarake dhe civile. Por përkundër nga çfarë mendohej, ai deklaroi se të gjitha këto sanksione po kalohen me qetësi.

Ora 15:40
Shefi i grupit Wagner: Unë themelova Agjencinë e Kërkimeve të Internetit për të ruajtur Rusinë nga propaganda anti-ruse

 Kreu i grupit Wagner, Prigozhin ka pranuar se ka themeluar Agjencinë e Kërkimeve të Internetit (IRA), të cilën qeveria amerikane e ka sanksionuar për ndërhyrje në zgjedhjet e saj. Ai e bëri këtë duke iu përgjigjur një pyetjeje në kanalin Telegram të grupit mercenar.

 "Unë kurrë nuk kam qenë vetëm financuesi i Agjencisë së Kërkimeve në Internet. E shpiva, e krijova, e drejtova për një kohë të gjatë, u  themelua për të mbrojtur hapësirën e informacionit ruse nga  propagandë agresive e narrativës anti-ruse që vjen nga Perëndimi”, tha ai. 

Ora 15:02
Norvegjia do të furnizojë Kievin me tetë tanke Leopard 2

Norvegjia do të furnizojë Ukrainën me tetë tanke Leopard 2, si dhe municione, pjesë këmbimi dhe katër automjete. Këtë e ka bërë të ditur qeveria e Oslos, duke bërë të ditur detajet e kontributit të saj në forcimin e ushtrisë së Kievit. Ministria e mbrojtjes e Norvegjisë, megjithatë, nuk specifikoi se kur do të dorëzoheshin tanket, por ministri Bjorn Arild Gram, aktualisht në Bruksel për një takim në formatin Ramstein, tha për mediat norvegjeze se do të ishte i afërt.

Ora 14:20
BE: Rusia i shtohet listës së vendeve që nuk bashkëpunojnë për taksat

Këshilli i BE-së vendosi sot të shtojë Ishujt e Virgjër Britanikë, Kosta Rikën, Ishujt Marshall dhe Rusinë në listën e BE-së të juridiksioneve që nuk bashkëpunojnë për qëllime tatimore. Me këto shtesa, lista e BE-së tani përbëhet nga 16 juridiksione. Rusia përfshihet në listë pasi Paneli i Kodit të Sjelljes shqyrtoi legjislacionin e ri rus të miratuar në vitin 2022 kundër kritereve të qeverisjes së mirë tatimore të Kodit dhe zbuloi se Rusia nuk kishte përmbushur angazhimin e saj për të adresuar aspektet e dëmshme të një regjimi të veçantë për kompanitë ndërkombëtare mbajtëse. Për më tepër, dialogu me Rusinë për çështjet e taksave është ndalur pas agresionit rus kundër Ukrainës, tha Këshilli në një deklaratë. Për herë të parë që nga krijimi i listës, Kosta Rika përfshihet sepse nuk ka përmbushur angazhimin e saj për të shfuqizuar ose ndryshuar aspektet e dëmshme të regjimit të përjashtimit të të ardhurave nga burime të huaja.

Ora 13:04
Estonia: Aeroplanë për në Kiev? Nuk ka rrezik që të përdoren për të sulmuar territorin rus

Ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Hanno Pevkur ka mbështetur sërish Ukrainën duke thënë se Rusia po përgatitet për një ofensive të re më masive dhe Ukraina duhet të përgatit për kundërsulm. 

"Ne e dimë se Ukraina ka nevojë për të gjitha llojet e ndihmës dhe kjo përfshin edhe avionët . Unë nuk shoh rrezik që avionët të përdoren për të sulmuar Rusinë, sepse kolegu im i mirë Oleksij Reznikov ka thënë shumë herë se ata nuk do të shkojnë në territorin rus. Për Ukrainën nevojitet çdo lloj ndihme sepse duhet të fitojë. Unë mendoj se së shpejti do të jemi në gjendje t'i dërgojmë më shumë ndihmë Ukrainës. Rusia po përgatitet për një sulm në shkallë të gjerë. Kjo do të thotë se ukrainasit duhet të jenë gati dhe gjithashtu duhet të jenë gati për një kundërsulm”, kështu deklaroi ministri estonez i mbrojtjes Hanno Pevkur pas mbërritjes në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

 

Ora 12:56
Kryetarja e Parlamentit Evropian: Të ngrihet një gjykatë speciale për krimet ruse në Ukrainë! S’do ketë kurrë paqe pa drejtësi

1676375819_metsola.JPG

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka kërkuar ngritjen e një gjykate speciale për krimet ruse në Ukrainë. Ajo u shpreh se nuk do të ketë kurrë paqe për aq kohe sa nuk ka drejtësi.

"Ne të gjithë duam paqe, por në të njëjtën kohë paqja pa drejtësi nuk është paqe. Dhe kjo është arsyeja pse ne mbështesim ngritjen e një gjykate speciale për krimet ruse. Krimet e kryera kundër ukrainasve dhe shkatërrimi i vazhdueshëm i infrastrukturës civile janë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Duhet të fillojmë tani, për këtë po bëjmë presion dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.- tha ajo.

Ora 10:38
Borrell: Me Fondacionin Evropian të Paqes ne mund të blejmë municion për Kievin në mënyrë të koordinuar

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell ka thënë se me Fondacionin Evropian të Paqes mund të blejnë dhe të ndihmojnë Kievin në mënyrë të kooordinuar.

"Me Fondacionin Evropian të Paqes, i cili është një fond ndërqeveritar, ne tashmë u japim fonde vendeve anëtare të BE-së për të blerë armë për Ukrainën. Për momentin ne e bëjmë atë në baza shtet pas shteti. Unë do t'u paraqes propozime për këtë ministrave të jashtëm të BE-së javën e ardhshme" kështu deklaroi përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të mbrojtjes të BE-së, Josep Borrell, gjatë mbërritjes në takimin e formatit Ramstein në selinë e NATO-s.

Ora 09:38
Mbretëria e Bashkuar: Grupi Wagner përparon drejt Bakhmutit

1676063322_1200630638f13e33c66a.jpg

Gjatë tre ditëve të fundit, forcat e Grupit wagner kanë bërë përparime të vogla dhe kanë fituar terren në pjesën veriore të qytetit të Bakhmut, Donbass, kështu njoftoi Ministria Britanike e Mbrojtjes në përditësimin e saj të përditshëm për luftën në Ukrainë. 

“Megjithatë, mbrojtja e organizuar ukrainase vazhdon në zonë. Në përgjithësi, tabloja aktuale operacionale sugjeron se forcat ruse po marrin urdhra për të avancuar në shumicën e sektorëve”, thuhet në raport, “por nuk ka fuqi të mjaftueshme sulmuese për të arritur efektin vendimtar”.

Ora 08:12
Në Ukrainë 325,000 shtëpi janë shkatërruar që nga marsi i 2022

1675545535_dggj.JPG

Që nga marsi, ukrainasit kanë paraqitur më shumë se 325,000 raporte për banesa të dëmtuara ose të shkatërruara përmes aplikacioneve të shërbimit elektronik të qeverisë ukrainase, tha Olena Shulyak, deputete dhe kreu i Partisë Shërbëtor i Popullit në pushtet, raportoi Ukrinform.

Ora 07:36
Media holandeze: Tre avionë luftarakë rusë kapën mbi Poloni

1676356631_F35JSF1440760.jpg

Ministria holandeze e Mbrojtjes tha se dy prej avionëve të saj luftarakë F-35 dje kapën një formacion prej tre avionësh luftarakë rusë mbi Poloni dhe i shoqëruan ata jashtë hapësirës ajrore. Kështu raportojnë disa media ndërkombëtare.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?