Kili me trajner debutues dhe favorit kundër Shqipërisë, tifozët kuqezi gati të ‘pushtojnë’ Parmën

21 Mars, 14:34| Përditesimi: 21 Mars, 16:01

  • Share

Përballjet me përfaqësueset e Amerikës së Jugut kanë qenë me pikatore për kombëtaren shqiptare, ndërsa miqësorja me Kilin të premten do jetë e para për kuqezinjtë. Fakt është se Kili nuk është ajo e disa viteve më para kur fitonte Kupën e Amerikës dhe trembte këdo në Botëror, por megjithatë mbetet një kockë shumë e fortë. Sylvinho e ka patur thuajse të pamundur ta studiojë, pasi të premten me kombëtaren e Amerikës së Jugut debuton trajneri i ri Rikardo Gareka, i cili ka bërë edhe disa ndryshime në listën e grumbullimeve.

Nuk do jenë lojtarë si Gerry Medel apo Arturo Vidal, por ka emra të frikshëm si Alexis Sanchez apo të rikthyerit Edouardo Vargas dhe Claudio Bravo. Gjithashtu kryesisht lojtarët e grumbulluar luajnë në kampionatin Argjentinas, por ka edhe të tjerë në Francë me ekipe si Monaco dhe Touluse, ndërsa nuk mungojnë as nga Meksika. Sipas kompanive të basteve Kili në këtë përballje është favorit ndaj Shqipërisë, por pritet që tifozët shqiptarët të jenë më të shumtë në numër.

Deri më tani janë shitur afërsisht 12 mijë bileta, ndërsa stadiumi ‘Ennio Tardini’ i Parmës, ku Shqipëria është organizatore e kësaj miqësoreje, ka një kapacitet prej 22.350 vendesh. Gjithashtu duke nisur nga sot, federata shqiptare, ka vënë në dispozicion edhe bileta fizike pranë stadiumit të Parmës.

Ndërkohë sot përfaqësues të policisë së shtetit, bashkë me ministrin e brendshëm Taulant Balla kanë mbajtur një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri Karlfried Bergner, teksa policitë e dy vendeve kanë nënshkruar edhe një marrëveshje për mbarëvajtjen e kampionatit Europian. Ata u shprehën se shqiptarët do jenë të tretët në numër në Gjermani, pas vendasve dhe anglezëve të cilët do mbështesin kombëtaret respektive në Euro 2024.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?