Më vinte turp kur dilja me kilota. Nuk e dija si u dukesha djemve të shkollës, ulur mbi bordurën e ulët të shkollës “11 janari”. Vraponim rreth pistës së vrapimit, vraponim brenda në palestër. Nuk e di a u pëlqente djemve ky vrap “pelash”. Ndoshta origjina fshatare e gjyshërve u shpreh edhe në marrëdhëniet quasi-erotike, ku për një femër simpatike apo të bukur dëgjohej një si nëpërdhëmbë “kjo qe(n)ka alamet pele”. Edhe sot e kësaj dite nuk e dalloj dot pelën.
Erdhi një cast që u bë problem për kilota. Nuk ka kilota në MAPO! Nuk gjen kilota në treg! Dhe me vrap, mbathjet me llastik që të linte shenja në mish si zinxhir traktori u cuan për ty lyer tek Leshpunuesja.
Kam lexuar një libër, si fëmijë, të titulluar “Si i doli boja Rip-Tip-Tapit”, me autor Cezar Ruhin. Mes librit dhe kilotave qëndronte një lidhje e “fuqishme”. Ashtu si këtij personazhi i “dilte boja”, edhe kilotave po ashtu u ndodhte. Me dy-tre të lara ato merrnin një gri (që nuk kishte asnjë lidhje me “50 hijet e Greit”) dhe të gjithë e dinin që dikur ato kishin qenë tjetër gjë.
Ndonjëherë në hedhje gjyleje mund të qëllonte të lirohej edhe llastiku. Nuk po flas këtu për sutjenat, të cilat po të vrapoje dy herë rreth fushës, tashmë pranë stadiumit “Qemal Stafa”, u këputeshin rripat dhe duhej t’i mbaje me dorë deri në orën e fundit të mësimit.
Kilotat linin “shenjat” e tyre në mishin vajzëror. Atëherë kjo nuk na bënte përshtypje. Sipër mbathejeve mbanim kilota. Kishte raste që ato i mbanim veshur deri pas orës së gjashtë të mësimit dhe shenjat e tyre na kujtonin se pas disa ditësh kishim sërish “Fiskulturë“.
Ndoshta djemve u pëlqenin kilotat tona. Ndoshta me një ndjesi quasi-mazokiste kënaqeshin për shenjat që ato linin në trup, ndonëse pak prej tyre patën mundësi t’i shihnin ato konkretisht. Por s’ka gjë. Ata i imagjinonin. Dhe gjatë orës që pasonte atë të Fiskulturës uleshin edhe më ngjitur në bankat e ngjitura me njëra-tjetrin. Dikush e kishte mendjen në mësim, dikush tjetër e kishte mendjen të mësonte.
Një gjë më kujtohet fort mirë. Kishim të gjithë trupa të bukur. Jetonim në kohën e “mendje e shëndoshë, në trup të shëndoshë“.
Tani shumë prej atyre vajzave që atëherë veshën kilota janë shëndoshur.