Kim Jong Un dhe Sergei Lavrov

Bota

Kim Jong Un i ofron Moskës 'mbështetje të pakushtëzuar' për luftën në Ukrainë

13 Korrik, 07:39| Përditesimi: 13 Korrik, 07:41

  • Share

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka ofruar Moskës “mbështetjen e tij të pakushtëzuar” për luftën në Ukrainë, sipas raportimeve të mediave shtetërore të Phenianit.

Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Korenë e Veriut, Kim deklaroi se Pheniani qëndron në krah të “të gjitha masave të marra nga udhëheqja ruse” për të trajtuar “shkakun e vërtetë të krizës në Ukrainë”.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se Koreja e Veriut ka dërguar rreth 11,000 trupa në Rusi gjatë vitit të fundit për të luftuar kundër Ukrainës.

Presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA të Koresë së Veriut, Kim dhe Lavrov u takuan të shtunën në një “atmosferë të ngrohtë dhe me besim shoqëror”.

Udhëheqësi koreanoverior gjithashtu shprehu “besimin e fortë se ushtria dhe populli rus do ta fitojnë me siguri fitoren në përmbushjen e kauzës së shenjtë për mbrojtjen e dinjitetit dhe interesave themelore të vendit”.

Në Telegram, Ministria e Jashtme e Rusisë publikoi një video ku dy burrat përshëndesin njëri-tjetrin me shtrëngim duarsh dhe përqafim.

Lavrov u takua gjithashtu me homologen e tij koreano-veriore, Choe Son Hui, dhe e falënderoi për kontributin e “ushtarëve heroikë” të Koresë së Veriut të dërguar në ndihmë të Rusisë, raportoi agjencia ruse TASS.

Mbështetja e re ushtarake e Koresë së Veriut për Rusinë vjen ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump ka rifilluar furnizimet ushtarake për Ukrainën, pas një ndërprerjeje të shkurtër.

Trump deklaroi për NBC News të enjten se kishte arritur një marrëveshje me NATO-n për të dërguar sisteme mbrojtëse ajrore Patriot në Ukrainë përmes aleancës, pas një vale sulmesh ajrore ruse.

Pheniani e pranoi publikisht për herë të parë dërgimin e trupave në Rusi në muajin prill, disa muaj pasi Ukraina dhe vendet perëndimore kishin zbuluar lëvizjet masive të trupave koreano-veriore drejt vijës së frontit ruso-ukrainas.

Kim nënshkroi një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin në qershor të vitit të kaluar, ku u angazhuan të mbështesin njëri-tjetrin në rast se ndonjëri përballet me “agresion”.

Përveç trupave, Koreja e Veriut ka premtuar gjithashtu dërgimin e mijëra punëtorëve për të ndihmuar në rindërtimin e rajonit të shkatërruar të Kurskut në Rusi, sipas shefit të sigurisë së Moskës muajin e kaluar.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 13/07/2025 10:52

    Sejcila ndihme eshte e mireseardhur por kur ndihmohet kundershtari nuk eshte e pranueshme a i kupton dikush keto pralla Ruse.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?