Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se ushtria e tij “duhet t'i asgjësojë tërësisht” Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut nëse provokohet, raportoi media shtetërore më 1 janar, pasi ai u zotua se do të forcojë mbrojtjen kombëtare për t’u përballur me atë që e quajti konfrontim të paprecedent të udhëhequr nga SHBA-ja.
Muajve të fundit, Koreja e Veriut ka rritur retorikën luftënxitëse në përgjigje të stërvitjeve ushtarake të kryera nga SHBA-ja dhe Koreja e Jugut. Ekspertët presin që Kim të vazhdojë të përshkallëzojë retorikën dhe testimet e armëve, sepse ai ka të ngjarë që beson se shfrytëzimi i situatës kur tensionet janë të larta me SHBA-në, do të mund të rezultojë me koncesione nga Uashingtoni nëse ish-presidenti amerikan, Donald Trump, fiton zgjedhjet presidenciale amerikane që do të mbahen në nëntor.
Gjatë një takimi pesëditor të partisë në pushtet, Kim tha se ai do të lansojë edhe tre satelitë ushtarakë të spiunazhit, do të prodhojë më shumë materiale bërthamore dhe do të zhvillojë më shumë dronë sulmues gjatë këtij viti. Vëzhguesit thanë se këto janë përpjekje të liderit verikorean që të nxjerrë më shumë koncesione gjatë bisedimeve diplomatike në të ardhmen me SHBA-në.
Gjatë një takimi me ushtrinë, Kim tha se “ushtria jonë duhet të jetë në gjendje që të japë një goditje për asgjësim të tërësishëm, duke mobilizuar mjetet tona më të fuqishme” nëse shteti përballet me konfrontim apo provokime, raportoi media shtetërore KCNA.
Gjatë adresimit për Vitin e Ri, presidenti jugkorean, Zoon Suk Yeol, tha të hënën se ai do të forcojë aftësinë parandaluese të ushtrisë së tij, aftësinë për të kryer sulme hakmarrëse dhe mbrojtëse për shkak të kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut.
Ndërkaq, pas fjalimit të Kimit, Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut paralajmëroi kundër çfarëdo përpjekjeje të Veriut për të përdorur armë bërthamore. Kjo ministri tha se forcat e Koresë së Jugut dhe SHBA-së do t’i kundërpërgjigjeshin këtyre përpjekjeve që do të rezultonin me fundin e Qeverisë së Kimit.
Ekspertët kanë thënë se përleshje ushtarake, në shkallë të vogël, mes Koresë së Veriut dhe Jugut mund të ndodhin gjatë këtij viti përgjatë kufirit mes dy shteteve. Ata kanë thënë se presin që Veriu të kryejë testime të raketave balistike ndërkontinentale, që mund të arrijnë në tokën amerikane, por edhe testime të armëve të tjera të reja.
Që nga viti 2022, Koreja e Veriut ka kryer mbi 100 testime të raketave, duke shtyrë SHBA-në dhe Korenë e Jugut të zgjerojë stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Veriu po ashtu ka tentuar të forcojë raportet me Kinën dhe Rusinë, dy shtete që kanë bllokuar përpjekjet e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të ashpërsuar sanksionet nga Koresë së Veriut lidhur me testimet e armëve.
Vlerësimet për madhësinë e arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut variojnë nga 20-30 bomba deri në 100. Shumë ekspertë të huaj kanë thënë se Koreja e Veriut ka teknologji për të prodhuar raketa balistike ndërkontinentale bërthamore me rreze të gjatë veprimi, edhe pse raketat me rreze të shkurtër veprimi që ka, mund të arrijnë Korenë e Jugut dhe Japoninë./ REL