TIRANË- Duke mos përmendur emra, por duke iu drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka pasur një mesazh të qartë dhe të prerë për çdo individ që ka dalë hapur kundër Reformës në Drejtësi! “Koha kur gjyqtarët bliheshin e kërcënoheshin mbaroi! Keni mbushur xhepat tuaj dhe të fëmijëve, tani ndaloni”, tha Kim, duke theksuar se Reforma në Drejtësi po jep rezultate.
Duke folur në 30 vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese, edhe një herë diplomatja amerikane solli në vëmendje presionin, kërcënimet apo tentativat për të blerë gjyqtarë e prokurorë, mirëpo pa përmendur emra se kush janë personat që po kërcënojnë, kush po kërcënohet e mbi të gjitha për çfarë. Nisur nga fakti që Sali Berisha është shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA se është pasuruar vetë se bashku me familjen në kurriz të shqiptarëve si edhe akuza për presion ndaj drejtësisë, duke se ky mesazh shkon për të, ndonëse Kim u kujdes të mos përmendte emra.
"Reforma në Drejtësi po jep rezultate reale, po bën përpara, ata që e kundërshtojnë këtë përparim, ata që do të donin të mos kishin rezultate janë duke dyshifuar përpjekjet e tyre, do donin ta tërhiqnin Shqipërinë pas në të shkuarën, në një kohë kur gjyqtarët bliheshin dhe kërcënoheshin. Unë ju them ndaloni, koha për të bërë telefonata për të dërguar emisar, dhurata e kërcënime, duke kërcënuar për të ekspozuar sekrete të errëta nga e shkuara, formojnë bazat për një tjetër sekret të erret, kjo kohë ka përfunduar. Kjo kohë ka përfunduar. Keni mbushur xhepat, tuaj dhe të të fëmijëve tuaj. Ndaloni! Qytetarët shqiptarë duhet të besojnë se ekziston drejtësia në Shqipëri, se ka një të ardhme më të ndritur", tha Kim.
Ajo iu është drejtuar edhe prokurorëve dhe gjykatësve, duke thënë se ata tani më duhet të mos kenë frikë nga këto kërcënime, por thjesht të bëjnë punën e tyre me qëllimin që t’u japin qytetarëve një drejtësi të barabartë për të gjithë.
“Ka dënim për ata që kryejnë krime, të gjithë janë të barabartë para ligjit. Këtë duhet të bëjë çdo gjykatë, çdo prokuror duhet ta bëjë. Ndaloni që të keni frikë nga këto kërcënime. Bëni punën tuaj. Lejoni që qytetarët shqiptarë të besojnë”, tha Yuri Kim.
Në mbyllje të fjalës së saj, ambasadorja ka vlerësuar punën e bërë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se SHBA është krenare që ka qenë krah Shqipërisë në këtë proces të vështirë, por të domosdoshëm.
Lajmi kryesor:
30-vjetori i krijimit të ‘Kushtetuese’, Tusha: Politika ka paragjykuar vendimet e drejtësisë! Rama: Ngrehinë me dritë dhe hije! Begaj: Gur themeli për shtetin e së drejtës
B.K./ReportTv.al