Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Albana Shtylla priti sot në ambientet e Kolegjit ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim dhe Këshilltaren Ligjore Rezidente të OPDAT në Shqipëri Michelle Lakomy.
Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Shtylla e njohu ambasadoren me sfidat e procesit të rivlerësimit, nevojën dhe mundësitë për përshpejtimin e tij, si dhe e falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme për institucionet e rivlerësimit, për kryerjen me përgjegjësi dhe profesionalizëm të funksionit të tyre kushtetues.
Po ashtu, Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit informoi znj Yuri Kim edhe në lidhje me përgatitjet e Kolegjit për shqyrtimin e çështjeve të juridiksionit disiplinor për sistemin e drejtësisë, që kjo gjykatë pritet të ketë me fillimin e funksionimit të plotë të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe mbi vendimmarrjet përkatëse të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Fokus i veçantë gjatë takimit, iu dha edhe kërkesave dhe shqetësimeve të gjyqtarëve, sa i përket funksionalitetit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe vijueshmërisë normale të procesit të rivlerësimit, duke garantuar pavarësinë në vendimmarrjen e Kolegjit.
Shtylla konsideroi të domosdoshme për ecurinë e procesit të vetting-ut, vazhdimin e mbështetjes të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe vëmendjen e posaçme të tyre për suksesin e procesit të rivlerësimit.