Po përpiqen të na vjedhin metalet e rralla të tokës. Ky është paralajmërimi i bërë nga Ministria e Sigurisë së Shtetit të Kinës, e cila drejton gishtin nga shërbime të inteligjencës së huaja, pa i specifikuar. “Agjencitë e spiunazhit dhe të inteligjencës së huaja kanë tentuar të lidhin marrëveshje me kriminelë vendas dhe t’i rekrutojnë ata për të vjedhur produkte të lidhura me tokat e rralla kineze përmes kanaleve të transportit dhe shpërndarjes, duke përbërë një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare”, shkruan ministria në një postim të publikuar në kanalin e saj në WeChat.
“Një vend i caktuar nuk ka kapacitet për të prodhuar dhe përpunuar në mënyrë të pavarur metale të rralla. Për të garantuar furnizimin e brendshëm, prej kohësh ky vend është përpjekur të grumbullojë rezerva të këtyre burimeve përmes kanaleve dhe mjeteve të ndryshme”, thuhet më tej në postim.
Ministria jep disa shembuj të këtyre përpjekjeve të supozuara për vjedhje. “Ripaketimi dhe ri-etiketimi i metaleve të rralla për të treguar në mënyrë të rreme se ‘nuk janë me origjinë kineze’ përpara se të rieksportohen në vendin e tyre; falsifikimi i emrave të produkteve; dërgimi i ngarkesave të vogla përmes postës së shpejtë dhe ndryshimi i itinerareve të transportit”. Agjentët e huaj, vijon ministria, “kanë tentuar të fshehin materiale edhe brenda manekinëve prej plastike apo shisheve me ujë”. Pekini pohon se “janë ndërmarrë veprime ligjore për të bllokuar këto rrjedha të paligjshme”.
Metalet e rralla kanë qenë në qendër të negociatave për tarifat doganore mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat varen nga furnizimet kineze për prodhimin e një game të gjerë produktesh. Armën më të fuqishme në duart e Pekinit në luftën tregtare me administratën Trump.
Kina prodhon 90% të magnetëve me bazë toka të rralla në nivel global: toka të rralla që janë thelbësore për sektorët automobilistik, aerohapësinor, të gjysmëpërçuesve dhe pajisjeve ushtarake. Në prill, qeveria kineze vendosi të imponojë kontrolle më të rrepta mbi eksportet, si përgjigje ndaj tarifave të vendosura nga Donald Trump mbi produktet kineze. Pas bisedimeve të zhvilluara muajt e fundit fillimisht në Gjenevë dhe më pas në Londër me amerikanët, Pekini “ka përshpejtuar procesin e shqyrtimit të kërkesave për licenca eksporti për produktet e lidhura me tokat e rralla” – siç tha disa javë më parë Ministria kineze e Tregtisë. Dhe eksportet, në fakt, po rifillojnë.
Të dhënat doganore të publikuara sot tregojnë se eksportet e të gjitha produkteve me bazë mineralet e rralla janë rritur me 80%, pas nivelit më të ulët të pesë viteve të fundit të regjistruar në maj.
Çështja e metaleve të rralla ka ashpërsuar gjithashtu tensionet me Bashkimin Europian, i cili varet nga eksportet nga Kina. Tema do të jetë në krye të axhendës së samitit të planifikuar për datat 24 dhe 25 korrik në Pekin mes Kinës dhe BE-së./La Repubblica
Komente
