Xi Jinping dhe Vladimir Putini

Bota

Kina dërgon trupa në Rusi për stërvitje të përbashkëta ushtarake, Pekini: Nuk ka lidhje me situatën në Ukrainë

17 Gusht 2022, 15:52| Përditesimi: 17 Gusht 2022, 15:58

  • Share

Kina do të dërgojë trupa në Rusi për të kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake të udhëhequra nga Moska. Përveç Kinës dhe Rusisë, në këto stërvitje do të marrin pjesë India, Bjellorusia, Mongolia dhe Taxhikistani, bëri me dije Ministria e Mbrojtjes e Kinës, të mërkurën.

Pjesëmarrja e Kinës në stërvitjet e përbashkëta “nuk lidhet me situatën aktuale ndërkombëtare dhe rajonale", tha ministria në një deklaratë.

Muajin e kaluar, Moska njoftoi planet për mbajtjen e stërvitjeve "Vostok" (Lindje) nga 30 gushti deri më 5 shtator, edhe pse vendi po zhvillon një luftë të kushtueshme në Ukrainë. Aty thuhej në atë kohë se do të merrnin pjesë disa forca të huaja, pa përmendur se cilat ishin.

Stërvitje të këtij lloji u zhvilluan për herë të fundit në vitin 2018, kur Kina mori pjesë për herë të parë.

Ministria e Mbrojtjes e Kinës tha se pjesëmarrja e saj në stërvitje është pjesë e një marrëveshjeje të vazhdueshme dypalëshe bashkëpunimi vjetor me Rusinë.

“Qëllimi është të thellohet bashkëpunimi praktik dhe miqësor me ushtritë e vendeve pjesëmarrëse, të rritet niveli i bashkëpunimit strategjik midis palëve pjesëmarrëse dhe të forcohet aftësia për t'iu përgjigjur kërcënimeve  ndaj sigurisë së vendeve”, thuhet në deklaratë.

Pak para pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Pekini dhe Moska njoftuan një partneritet "pa kufij", megjithëse zyrtarët amerikanë thonë se nuk e kanë parë Kinën t'i shmanget sanksioneve të udhëhequra nga SHBA ndaj Rusisë apo t'i sigurojë Moskës pajisje e ndihmë ushtarake.

Distrikti ushtarak lindor i Rusisë përfshin një pjesë të Siberisë dhe ka selinë e tij në Khabarovsk, afër kufirit kinez.

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?