Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian

Bota

Trump rriti tarifat doganore për mallrat kinezë/ Kina: Jemi gati për çdo lloj lufte me Shtetet e Bashkuara! Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Ne jemi të përgatitur

5 Mars, 20:29| Përditesimi: 6 Mars, 09:59

  • Share

Kina ka paralajmëruar SHBA-në se është gati të luftojë "çdo lloj" lufte, në përgjigje ndaj rritjes së tarifave doganore nga presidenti Donald Trump.

Dy ekonomitë më të mëdha të botës janë afruar gjithnjë e më shumë drejt një lufte tregtare, pasi Trump vendosi tarifa të tjera mbi të gjitha produktet kineze. Kina u përgjigj shpejt duke vendosur tarifa prej 10-15% mbi produktet bujqësore amerikane.

"Nëse lufta është ajo që SHBA-ja do, qoftë luftë tarifash, luftë tregtare apo çdo lloj tjetër lufte, ne jemi gati të luftojmë deri në fund," tha ambasada kineze në SHBA në platformën "X".

Washingtoni është i “përgatitur” për luftë me Kinën, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke iu përgjigjur kërcënimeve të Pekinit.

Ne jemi të përgatitur”, tha Hegseth në Fox News, duke theksuar nevojën për forcë ushtarake për të penguar një konflikt.

Ata që dëshirojnë paqen duhet të përgatiten për luftë”, vuri në dukje ai, duke nënvizuar përpjekjet e modernizimit të ushtrisë amerikane.

“Ne jetojmë në një botë të rrezikshme me vende të fuqishme, në rritje me ideologji shumë të ndryshme. Ata po rrisin me shpejtësi shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe teknologjinë moderne, duke synuar të zëvendësojnë Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

Kjo është një nga deklaratat më të forta deri tani nga Kina, që nga ardhja në pushtet e Trump, dhe vjen ndërkohë që liderët kinezë janë grumbulluar në Pekin për Kongresin Vjetor të Popullit.

Të mërkurën, Kryeministri kinez Li Qiang njoftoi se Kina do të rrisë sërish shpenzimet për mbrojtjen me 7.2% këtë vit dhe paralajmëroi se "ndryshime që nuk janë parë për një shekull po zhvillohen me një ritëm më të shpejtë në mbarë botën." 

Liderët në Pekin po përpiqen të dërgojnë një mesazh për popullin kinez se ata janë të sigurt se ekonomia e vendit mund të rritet, edhe me kërcënimin e një lufte tregtare. Kina ka qenë e kujdesshme për të paraqitur një imazh të një vendi të qëndrueshëm dhe paqësor, në kontrast me SHBA-në, të cilën Pekini e akuzon për angazhimin në luftëra në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Kina mund të shpresojë gjithashtu të përfitojë nga veprimet e Trump ndaj aleatëve të SHBA-së, si Kanadaja dhe Meksika, të cilat gjithashtu janë goditur nga tarifat.

Fjalimi i Kryeministrit të martën në Pekin theksoi se Kina do të vazhdojë të rritet ekonomikisht dhe shpreson të tërheqë më shumë investime të huaja.

Kina ka theksuar gjithashtu që është e gatshme të shkojë në luftë. Gjatë tetorit të kaluar, Presidenti Xi bëri thirrje që trupat të forcojnë gatishmërinë për luftë ndërkohë që zhvillonin stërvitje ushtarake rreth Tajvanit.

Postimi i ambasadës kineze në Uashington citoi një deklaratë të ministrisë së jashtme në anglisht nga dita e mëparshme, e cila theksonte se SHBA po bën gabim që fajëson Kinën për fluksin e droges fentanyl, në territorin amerikan.

"Çështja e fentanylit është një justifikim i dobët për të rritur tarifat e SHBA-së mbi importet kineze," tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme.

"Kërcënimi nuk na frikëson. Bullizmi nuk funksionon ndaj nesh. Shtypja, detyrimi ose kërcënimet nuk janë mënyra e duhur për të trajtuar Kinën," shtoi ai.

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • dori: 06/03/2025 10:20

    Kina është superfuqi ekonomike dhe ushtarake..

    Përgjigju
  • Scutari: 05/03/2025 22:03

    Kina fryhet kot sepse është popull punëtor dhe jo luftarak! Për luftë është Japonia!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?