TIRANË - Erjon Këllëçi, programues Android/IOS ishte sot në ‘Studio Live’ duke folur për Inteligjencën Artificiale dhe aplikacionin Deep Seek, të lançuar së fundmi nga Kina si konkurrencë ndaj SHBA-së.
Sipas tij, Deep Seek ka një avantazh të madh në krahasim me teknologjitë e tjera si ChatGPT, pasi përdor teknologji më të vjetra që janë optimizuar për të dhënë rezultate më të sakta. Ai përmendi një test personal, ku i kërkoi ChatGPT të krijonte një lojë "Snake", por ky i fundit e bëri me gabime. Nga ana tjetër, Deep Seek krijoi versionin e lojës shumë më saktë.
'Kushton lirë se përdor disa teknologji më të vjetra por i ka optimizuar në atë mënyrë që rezultati të jetë më i saktë se chat gpt. E provova vetë. Më bë lojën snake i thashë, chat gpt e bëri me gabime, ky e bëri shyumë herë më saktë. E zhvilloj në gjuhë programimi. E përdora në deep seek, rezultati qe më i mirë.'
Këllëçi theksoi për Arbër Hitajn gjithashtu se inteligjenca artificiale (AI) nuk është e aftë të ofrojë opinione, pasi ajo është e bazuar vetëm në njohuritë e mbledhura nga njerëzimi deri më tani. Në vend që të japë mendime të thella ose të bëjë analizë të bazuar në ndjeshmëri apo eksperiencë, AI është më e aftë për të realizuar detyra specifike dhe për të dhënë përgjigje të bazuara në fakte.
'Ajo që nxjerr chati nuk është një opinion. Njeriu ka opinione të ndryshme. Këto teknologji nuk janë të specializuar për këto opinione. Edhe ne para 30 vitesh mendonim se vendi ynë është më demokratiku në botë. Inteligjenca artificiale nuk është në gjendje të japi mendime të tilla. Ajo mund të bëjë detyra të ndryshme, apo të japi opinione mbi atë se çka njeh njerëzimi deri më sot. Inteligjenca artificiale është futur shumë pak. Kemi një aplikacion që ndërmjetëson punëdhënësin dhe punëmarrësin. Kompanitë hedhin zakonisht disa job description dhe për të hartuat një përshkrim të punës përdorim inteligjencën artificiale. Këtu e përdorim të gjithë por jo në funksion të automatizimit të punës.'
Një aspekt tjetër që Këllëçi e theksoi ishte ndikimi i AI-së në botën e punës. Ndërsa shumë biznese dhe profesione janë zëvendësuar nga inteligjenca artificiale, kjo krijon një paradoks ekonomik, pasi po largon njerëzit nga puna, por gjithashtu po krijon një situatë ku nuk ka më konsumatorë për të blerë mallra dhe shërbime.
'Në botë 42% e bizneseve të mëdhaja përdorin chat. Shumë profesione janë zëvendësuar, nga inteligjenca artificiale. Kompanitë përdorin serverat dhe instruktohen. Envidia kompania më u fuqishme në botë dhe ka humbur brenda një dite 600 mld dollarë.'
Sipas tij, AI ka mundësinë të bëjë përparime të mëdha në fushën e diagnostikimit mjekësor, si për shembull për kancerin, por theksoi se ajo nuk mund të marrë ende vendime të pavarura pa udhëzime të qarta nga njeriu.
'Ka skenar të frikshëm. Dy projekte, AIG, ka ndërgjegjen e vet artificiale. Inteligjenca që kemi ne sot nuk është në gjendje të mësojë në mënyrë indipendiente. Hapi tjetër është super inteligjenca, që tejkalon veten. Që mund të marrë vendime vet pa marrë mendimin e njeriut. Presidenti Trump ka dalur për deep seek, që është start up. Disa e kanë quajtur deep seek si Sputnik. Kush ka kontrollin e AIG, ka kontrollin e inteligjencës artificiale. Mund të jetë në dëm të njerëzimit.'
Në fund, ai paralajmëroi për mundësinë e zhvillimit të sistemeve me ndërgjegje të pavarur, duke përmendur projekte si AIG, që mund të kenë pasoja të mëdha për njerëzimin, duke krijuar një skenar të frikshëm për të ardhmen.
'Nëse diçka, entitet tjetër zëvendëson punën, ka një paradoks. Heqim 7 mld njerëz nga puna, kush do i blejë këto të mira. Nuk ka më ekonomi. Është e vetmja teknologji që nuk ka kufij. Njerëzimi në dilemë të përdoret apo jo. si skenari i filmit Matrix. Nuk duhet ngatërruar me konspiracion. 10 vjet më parë nuk mendohej diçka e tillë. Inteligjenca artificiale sot po studion për kancerin. Mund të bëjë diagnostikimin. Por ajo që kemi sot nuk merr vendime.'