Donald Trump

Kina, Meksika dhe Kanadaja reagojnë ndaj kërcënimeve të Trumpit për tarifat tregtare

27 Nëntor, 13:17| Përditesimi: 27 Nëntor, 13:21

  • Share

Kina, Meksika dhe Kanadaja kanë reaguar ashpër pasi presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se do të rrisë me 25% tarifat tregtare për të gjitha produktet që hyjnë në SHBA nga Kanadaja dhe Meksika dhe 10% nga Kina, përpara se të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.

Presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum u tha gazetarëve të martën se as kërcënimet dhe as tarifat nuk do të zgjidhin "fenomenin e migrimit" ose konsumin e drogës në SHBA.

"Një tarifë do të pasojë një tjetër si përgjigje dhe kështu me radhë, derisa të rrezikojmë bizneset tona të përbashkëta," shtoi presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum.

Duke lexuar një letër ku theksoi se do t’ia dërgonte Trump, Sheinbaum paralajmëroi gjithashtu se Meksika do të hakmerrej duke vendosur taksat e veta mbi importet amerikane, të cilat do të "vinin në rrezik ndërmarrjet e zakonshme".

Më tej kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau tha se foli me Trump pas njoftimit të kësaj deklarate. Sipas tij dy liderët diskutuan për tregtinë dhe sigurinë kufitare, duke theksuar se numri i emigrantëve që kalonin kufirin kanadez ishte shumë më i vogël krahasuar me kufirin SHBA-Meksikë. Megjithatë ekipi i Trump refuzoi të konfirmonte se ata kanë bërë një bisedë telefonike.

"Askush nuk do të fitojë një luftë tregtare apo një luftë tarifash", tha Liu Pengyu një zëdhënës i ambasadës së Kinës në Uashington për BBC.

Ai hodhi poshtë pretendimet se Kina lejon që kimikatet e përdorura në prodhimin e drogave të paligjshme - përfshirë fentanyl - të kontrabandohen në SHBA.

“Kina i është përgjigjur kërkesës së SHBA-së për verifikimin e të dhënave për raste të caktuara dhe ka ndërmarrë veprime”, shtoi ai.

Kundërshtimi  i tyre vjen një ditë pasi Trump njoftoi në platformën e tij se do të zbatojë tarifat menjëherë pasi të marrë detyrën më 20 janar, nëse kërkesat e tij nuk plotësohen.

Fqinji verior i Amerikës përbënte rreth 437 miliardë dollarë (347 miliardë £) të importeve amerikane në vitin 2022 dhe ishte tregu më i madh për eksportet amerikane në të njëjtin vit, sipas të dhënave të SHBA.

Kanadaja dërgon rreth 75% të totalit të eksporteve të saj në SHBA.

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?