Kina i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të heqin tarifat e vendosura ndaj mallrave kineze, nëse presidenti Donald Trump është vërtet i gatshëm të zgjidhë përplasjen tregtare mes dy superfuqive, raporton BBC.
Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë së Kinës, He Yadong, deklaroi se "nëse SHBA-ja dëshiron me të vërtetë të zgjidhë çështjen, duhet të heqë të gjitha masat e njëanshme tarifore ndaj Kinës", duke shtuar në mënyrë simbolike: "Personi që lidhi zilen, duhet ta zgjidhë vetë."
Kjo deklaratë vjen mes përshkallëzimit të luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Kina është kundërpërgjigjur me vendosjen e një tarife deri në 125% ndaj produkteve amerikane, pas vendimit të Trump për të taksuar deri në 145% importet kineze.
Për më tepër, Pekini ka kthyer pas disa avionë Boeing të porositur më parë nga SHBA, si pjesë e masave hakmarrëse ndaj politikave tregtare të Uashingtonit. Shefi ekzekutiv i Boeing, Kelly Ortberg, konfirmoi se dy avionë janë kthyer dhe një i tretë do të pasohet për shkak të tensioneve mes dy vendeve.
Ndërkohë, zyrtarët kinezë kanë mohuar deklaratat e presidentit Trump për negociata të mundshme mes palëve. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun, theksoi se "nuk ka pasur as konsultime, as negociata për tarifat" dhe i cilësoi lajmet për një marrëveshje të afërt si "të rreme".
Ndryshe nga qëndrimi i mëparshëm i Trump, i cili ka lënë të kuptohet se mund të jetë i hapur për uljen e tarifave, këtë javë ai ka reaguar ashpër ndaj Kinës në platformën e tij "Truth Social". Ai akuzoi Pekinin se nuk ka respektuar marrëveshjen për blerjen e avionëve dhe lejimin e trafikut të fentanilit në SHBA, duke thënë: "Ky është vetëm një shembull i vogël i asaj që Kina i ka bërë Amerikës ndër vite."
Ndërsa tensionet mbeten të larta, zëvendësministri i Tregtisë së Kinës, Ling Ji, gjatë një tryeze me më shumë se 80 kompani të huaja në Pekin, i nxiti ato të shfrytëzojnë krizën si mundësi.
"Shpresojmë që firmat e huaja ta shndërrojnë krizën në mundësi," tha ai.
Sakaq, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, konfirmoi se negociatat me Kinën ende nuk kanë nisur, por ai shprehu shpresën për një "marrëveshje të madhe", duke e përshkruar situatën aktuale si të paqëndrueshme dhe jo një shaka.
Komente
