Çmimi i qymyrit në termocentralet e Kinës ka pësuar një rritje rekord, pasi një nga rajonet kryesore minerare të vendit është goditur nga përmbytjet.
Reshjet e shiut goditën rajonin e Shanxit ditët e fundit e ndërsa në korrik është përmbytur edhe rajoni i minierave Henan. Qymyri termik në Bursën e Mallrave Zhengzhou u rrit me mbi 10% nga dita e sotme.
Përmbytjet komplikojnë më tej përpjekjet e Kinës për të rritur furnizimet me karburant për të lehtësuar krizën e saj të thelluar të energjisë.
Provinca Shanxi, e cila prodhon rreth një të tretën e furnizimeve me qymyr të Kinës, u detyrua të mbyllë përkohësisht dhjetëra miniera për shkak të përmbytjeve.
Të paktën 15 persona kanë vdekur gjatë përmbytjeve të mëdha që kanë prekur më shumë se 1.76 milion njerëz. Shiu i rrëmbyeshëm javën e kaluar çoi në shembjen e shtëpive dhe shkaktoi rrëshqitje toke në më shumë se 70 rrethe dhe qytete në provincën veriore.
Edhe para përmbytjeve, Kina po përballej me një mungesë të energjisë e cila ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në pjesë të mëdha të vendit. Javët e fundit, firmat e energjisë janë detyruar të kufizojnë furnizimin me energji elektrike në miliona shtëpi dhe biznese.
Ndërkohë, të premten Pekini urdhëroi minierat e qymyrit të Kinës të rrisin prodhimin. Kjo ishte përpjekja e fundit nga autoritetet për të rritur furnizimet me qymyr pasi çmimet arritën nivele rekord dhe mungesat e energjisë elektrike detyruan firmat e energjisë të racionojnë fuqinë.