Politikat kineze për të kontrolluar numrin e lindjeve mund të ndikojë në zvogëlimin e popullsisë së pakicave etnike në jug të Xinjiang deri në një të tretën gjatë 20 viteve të ardhshme, theksohet në një analizë të një studiues gjerman, të publikuar nga Reuters. Analiza arriti në përfundimin se politikat rajonale mund të zvogëlojnë midis 2.6 deri në 4.5 milion lindje të pakicave etnike.
Kina është akuzuar nga disa kombe perëndimore për gjenocid në Xinjiang, pjesërisht edhe përmes masave për të kontrolluar numrin e lindjeve. Kina mohon akuzat, duke thënë se rënia e nivelit të lindjeve ka shkaqe të tjera.
Studimi i ri, nga studiuesi Adrian Zenz, është dokumenti i parë akademik i rishikuar nga kolegët mbi ndikimin afatgjatë të shtypjes së Ujgurëve dhe grupeve të tjera të pakicave në Xinjiang nga ana e qeverisë kineze.
Studimi zbuloi se nën politikat e kontrollit të lindjes, popullsia e pakicave etnike në jug të Xinjiang do të arrinte diku midis 8.6 dhe 10.5 milion deri në vitin 2040, krahasuar me 13.1 milion parashikuar nga studiuesit kinezë përpara shtypjes së Pekinit.
Në raportin e tij, Zenz shkruan se deri në vitin 2019 autoritetet Xinjiang "planifikuan të nënshtrojnë të paktën 80% të grave në moshë riprodhuese në katër prefekturat rurale të pakicave ndaj operacioneve ndërhyrëse parandaluese të lindjes, duke iu referuar sterilizimeve".
Ekspertët besojnë se Kina ka arrestuar të paktën një milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë në Xinjiang dhe qeveria përballet me akuza për përpjekje për të zvogëluar dhe asimiluar popullsinë myslimane atje.
Raportet gjithashtu thonë se autoritetet kanë zhvendosur mijëra kinezë në pjesë të ndryshme të Xinjiang të dominuara më parë nga pakicat etnike dhe i kanë zhvendosur ujgurët me forcë.