Vietnami është përballur së fundmi me një mot ekstrem që shkaktoi viktima dhe shkatërrime në masë.
Tajfuni Yagi, që cilësohet si stuhia më e fuqishme në Azi për këtë vit, shkaktoi 40 viktima, mbi 200 të plagosur dhe dhjetëra të zhdukur, ndërsa dëmtoi rëndë infrastrukturën, përfshirë fabrika dhe biznese të shumta private.
Yagi shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike për miliona familje dhe biznese, përmbyti autostradat dhe shkatërroi rrjetin e telekomunikacionit
Një urë në një provincë vietnameze u shemb nga era e fortë dhe lumi i rrëmbyshëm, e si pasojë 10 makina përfunduan në ujë. Tajfuni gjithashtu dëmtoi çatitë e ndërtesave, si dhe shkuli e theu mijëra pemë.
Gati 50,000 njerëz janë evakuuar nga qytetet bregdetare në Vietnam, ndërkohë që autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë brenda.
Para se të godiste Vietnamin, tajfuni Yagi la të vdekur 24 persona në jugun e Kinës dhe Filipine.
Edhe pse tashmë ky tajfun apokaliptik është dobësuar, autoritetet kanë paralajmëruar për përmbytje dhe rrëshqitje dheu, ndërsa stuhia lëviz drejt perëndimit.