Filma, aktorë, regjisorë e producentë nga Mesdheu për katër ditë “ndalen” në kryeqytetin shqiptar në edicionin e parë të Festivalit Mesdhetar të Filmit në Tiranë (Tirana Mediterranean Film Festival-TMFF).
Mes 3030 filmave që kanë aplikuar nga e gjithë bota, në festival janë përzgjedhur për t’u shfaqur prodhimet që do të ndajnë me publikun rrëfime mbi emigracionin, pabarazitë sociale, marrëdhënien me shtetin dhe përpjekjet për një të ardhme më të mirë. Aktiviteti i çelur mbrëmjen e së enjtes në kinema “Agimi” do të vijojë deri më 4 maj. Pjesë e programit do të jenë edhe ëorkshop-e dhe diskutime me profesionistë të industrisë së filmit.
“Me një grup djemsh dhe vajzash të reja jemi munduar që në këtë festival të sjellim artistë, aktorë, regjisorë e producentë shumë të mirë nga Mesdheu. Në vitin 2025, Tirana është shpallur kryqyteti mesdhetar i artit dhe kulturës. Në këtë epokë të re, Tirana merr rolin kryesor të kryeqytetit të filmit mesdhetar. Le të jetë ky festival pikëtakimi i ideve, projekteve, ëndrrave”., - thotë Ledion Zoi, drejtor i festivalit.
Për katër ditë do të shfaqen filma nga Shqipëria, Greqia, Italia, Franca, Turqia dhe vende të tjera të Mesdheut. I ftuar nderi i këtij edicioni është aktori i mirënjohur Arben Bajraktari, ndërsa juria e kryesuar nga regjisori dhe producenti Eno Milkani do të vlerësojë artistët pjesëmarrës me pesë çmime.
Komente
