Kineasti Piro Milkani vlerësohet me medaljen, ‘Ambasador i filmit shqiptar’

3 Korrik 2019, 16:31| Përditesimi: 3 Korrik 2019, 17:39

  • Share

“Motivi i kotë”! Ky është një nga realizimet e para kinematografike, që Piro Milkanin do të rikthenin edhe një herë pas, në vitet ’60, gjatë viteve universitare në Pragë. Emocionet e tij ishin të forta, teksa shikonte këtë prodhim kinematografik, sot në ceremoninë që u zhvillua në Ministrinë e Kulturës në nderim të tij, pas vlerësimit që mori në Çeki, si “Njeriu i përkushtuar”. Ministrja e Kulturës, së bashku me ambasadorin çek shprehën mirënjohjen e tyre, për kontributin, që kineasti shqiptar ka dhënë, duke kontribuar për Republikën Çeke, edhe veçanërisht për kinematografinë shqiptare.

“Jam shumë i lumtur që sot në prani të personaliteteve të kulturës shqiptare, por edhe të ish- studentëve në Çeki vlerësojmë një nga njerëzit më në zë të kinematografisë shqiptare, zotin Piro Milkani. Së fundmi, ai është dekoruar në Pragë me dekoratën më të lartë "Njeriu i përkushtuar", një vlerësim që bëhet rrallë në vendin tim, vetëm për ata njerëz të palodhur që kanë nderuar Republikën Çeke nëpër botë”, shprehet ambasadori çek në Tiranë, Jaroslav Ludva.

Rreth 60 vite krijimtari artistike, rreth 20 filma të gjatë, dokumentarë edhe të shkurtër, si “Zonja nga qyteti”, “Ngadhënjim mbi vdekjen” apo edhe “Trishtimi i zonjës Shnajder”, që ruhen si thesar në Arkivin e Filmit, do të bënin, që si rrallëherë edhe ministrja e Kulturës, ta vlerësonte me një medalje mirënjohje kineastin, si “Ambasador të filmit shqiptar”.

“Sot jemi këtu për të shprehur mirënjohjen për të gjithë krijimtarinë e Piro Milkanit. Është një nga ata artist, që nuk i ka humbur vlerat për shkak të sistemit. Është një intelektual i vërtetë. Pas nderimit në Prag me një çmim shumë prestigjioz, jemi të lumtur që sot po i japim dhe mirënjohjen tonë. Vlerësimet nuk janë individuale, nuk ka se si edhe ne mos të ndihemi krenar që në një vend i vogël si ky i yni, nxjerr intelektual të tillë. “Falënderim, njeriut të zot” është vlerësimi që Praga i ka bërë kineastit tonë. Milkani ka ditur jo thjeshtë të mbijetojë, por edhe të bëjë art kur censura e kufizonte një gjë të tillë. Ka ditur të bëjë njerëzit që të përjetojnë emocione të forta”, thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti, teksa i dorëzon edhe medaljen, si “Ambasador i filmit shqiptar”.

Për Piro Milkanin këto vlerësime mirënjohje, kanë një vlerë të madhe, sepse vijnë në një moment, që ai mendonte se krijimtaria e tij artistike kishte përfunduar.

“Nuk di se çfarë të them, por më kujtohet shprehja popullore, që “Po të erdhi e mira hapi dyert”, edhe ky vlerësim ka rëndësinë e vet, sepse ma jep ministrja ime e Kulturës”, thotë kineasti Milkani.

Në projektet e tij të ardhshme ai do të jetë sërish pranë artdashësve në Panairin e Librit në muajin Nëntor më një libër mbi kinematografinë.

“Këta vlerësime më obligojnë që të përkthej një libër për kinematografinë, që del në nëntor në Panairin e Librit”, shprehet Milkani.

Ndërsa, bashkëpunëtorët e një jete shprehin vlerësimin e tyre për Milkanin kineast dhe njeri. Për piktorin Ksenofon Dilo, kontributi i Milkanit në kinematografi do të vlerësohet edhe nga brezat që do të vijnë në të ardhmen, pasi ai ka punuar me shpirt.

“Piro Milkanin e kam njohur si student në Pragë. Gjatë kohës i kisha parë disa punime të tij, por kur erdhëm në ish-Kinostudio pas përfundimit të shkollës u njohëm edhe më mirë. Unë kam bërë dekoret e disa filmave me Piron. Që nga koha që ai punonte si operator, më pas “Ngadhënjim mbi vdekjen”, më tej “Çifti i lumtur”, “Përse bien këto daulle”, “Dasma” etj. E njoh mirë punën edhe mënyrën se si punonte, ai dha gjithçka me shpirt për kinematografinë tonë, pavarësisht censurës që kishte. Edhe koha që është shumë selektive, do të ruajë shumë vlera të filmave që kemi bërë, se artistët kanë punuar me shpirt për të lënë diçka për popullin tonë. Ai ka lënë vlera të vërteta në artin kinematografik”.

Regjisori Saimir Kumbaro e quan Piro Milkanin një njeri xhentil, më shumë sesa duhet për shoqërinë shqiptare.

“Unë kam 50 vite që njihem me Piron. Fillimet e mia në kinema i kam pas me Piron, kam qenë shok, mik dhe vëlla. Kam mësuar shumë gjëra prej tij, ai është natyrë e butë edhe shumë i sjellshëm për shoqërinë shqiptare, por më vjen mirë, që po kujtohen të huajt për ta vlerësuar kontributin e tij në kinematografi, në ata filma, që dikush i do edhe dikush nuk i do”, shprehet Kumbaro.

Kineasti shqiptar para disa ditësh u vlerësua në Çeki me çmimin, “Falënderim njeriut të Zot”, si një nga 14 kontribuuesit më të rëndësishëm për Republikën Çeke.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?