Sot i njohim i njohim si gjyqe politike komuniste, ndërsa në kohën e tyre i janë referuar si gjyqet e popullit apo gjyqe speciale. Këto gjyqe dhe pleksja në to e sferave të drejtësisë dhe kinematografisë janë objekt studimi nga Jonida Gashi, e cila së shpejti do të sjellë për publikun libri “Kinemaja para gjyqit, nga kinokronikat e gjyqeve të popullit te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”.
Për librin, që pritet të vijë për lexuesit brenda muajit mars apo prill, është diskutuar në galerinë “Zeta” në kuadër të Javës Zvicerane të Kulturës.
“Kur i kam parë këto kronika të realizuara në fundin e viteve ’40 dhe në gjysmën e parë të viteve 1950, m’u dukën avangardiste. Në thelb avangardiste sepse kemi të bëjmë me një lloj konvergimi ose mbivendosje të këtyre dy sferave që synon drejt shkrirjes së artit me politikën, arti në këtë rast kinematografia e politikja, në këtë rast, drejtësia”., - thotë Jonida Gashi.
Botimi vjen në kuadër të një serie të Bibliotekës “Art dhe politikë” të shtëpisë botuese “Pika pa sipërfaqe”, dhe përqendrohet në dy momente kyçe: Dhjetëvjeçari i parë i vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe më pas periudha e revolucionit ideologjik dhe kulturor.
"Dhjetëvjeçari i parë është i ndarë në dy pjesë: në pjesën ’44-’48, që është periudha e miqësisë me Jugosllavinë dhe më pas në periudhën ’49-’54 që është periudha e fillimit të aleancës me Bashkimin Sovjetik dhe sovjetizimin të Shqipërisë, që vazhdoi deri në fundin e viteve ’50-të.”, - vijon Gashi.
Kinokronikat rrëfejnë për veprimin e një lloj rrjeti survejimi të përbërë nga masat e popullit që funksionin paralelisht me sigurimin e shtetit, por pa e dubluar atë, ndërsa qëllimi i këtyre filmave, sipas Gashit, ishte të brumoste turmat.
“Në 10-vjeçarin e parë u hodhën praktikisht themelet e asaj që quhej ligjshmëria socialiste dhe artit të realizmit socialist, ndërsa gjatë periudhës së revolucionit kulturor, pati përpjekje për të radikalizuar sferën e drejtësisë; përfshirja e njerëzve të zakonshëm ose masave punonjësve në dhënien e drejtësisë, në zbulimin e hetimin e gjykimin e krimeve dhe pak më vonë edhe për sferën e artit.”,- shprehet studiuesja.
Më vonë lindi edhe zhanri i filmave të vigjilencës revolucionare të masave dhe të gjitha metodat duket se arritën indoktrimin e masave me propagandë, duke mos dalluar më ku niste e ku mbaronte, filmi e politika.
Komente
