Për herë të parë, në Spitalin Rajonal të Shkodrës është kryer me sukses, stentimi i arteries karotide, tek një pacient në moshën 84-vjeçare, i diagnostikuar me Iskemi të Përkohshme. Arteriet karotide janë dy arteriet kryesore që furnizojnë trurin me gjak dhe ndodhen në dy anët e qafës. Kur ato bllokohen pacienti rrezikon paralizën. Falë ndërhyrjes së shpejtë mini-invazive sot gëzon shëndet të plotë. Për shkak të moshës së thyer pacienti nuk iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, tradicionale.
“Nëpërmjet kësaj ndërhyrje ulet rreziku i një ishemie tjeter që do e linte pacientin të paralizuar. Po kështu pacienti del nga spitali në një kohë më të shpejtë”, tha dr. Besmir Grishja.
Mjekët ë cilët ishin në krye të këtij interventi, Besmir Grishja, kirurg vaskular dhe Enkelejd Lohja, kardiokirurg deklaruan se rastet e ishemisë në tru që kërkojnë ndërhyrje të tilla janë të shpeshta, por deri më tani këto procedura janë kryer vetëm në spitale private. Në Shkodër, dy mjekët garantojnë se mund të kryejnë deri në 40 ndërhyrje në vit, nëse do të akordohen fondet e nevojshme.
“Kemi nevojë për mbështetje nga Drejtoria e Spitalit për të rishpërndarë fondet në mënyrë që kjo ndërhyrje të mos mbetet e vetmja në këtë spital por të bëhen për të gjithë pacienët. Rreth 30 për qind e rasteve lidhen me arterien karotide, shtrimet në neurologji shkojnë mbi 100 në vit, kështu që 30 deri në 40 pacientë në vit kanë nevojë për këtë lloj ndërhyrje”, u shpreh ai më tej.
Ky është një hap i rëndësishëm për mjekët, por Spitali Rajonal Shkodër duhet t’i mbështesë për të ofruar trajtime të avancuara për pacientët.