Shëndeti

Kirurgu Arvin Dibra në 'Klinika 24': Mes sfidave të jetës dhe profesionit...

19 Korrik, 21:47| Përditesimi: 19 Korrik, 22:00

  • Share

I ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte kirurgu Arvin Dibra, shefi i Klinikës Numër 1 të Kirurgjisë, QSUT  i njohur ndryshe si Kirurgjia 1. Ai prezantoi një rast të fundit të ndërhyrjes kirurgjikale tek një pacient me obezitet morbid, i cili iu nënshtrua operacionit të reduktimit të stomakut përmes laparoskopisë  një metodë minimale invazive që ka zënë vend gjithnjë e më shumë në trajtimin e obezitetit.

Kirurgu shpjegoi se obeziteti morbid është një problem serioz shëndetësor që shoqërohet me rrezik të lartë për sëmundje të tjera kronike si diabeti, hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare.

“Reduktimi i stomakut përmes laparoskopisë është një ndërhyrje që, përveçse ndihmon pacientin të humbasë peshë në mënyrë efektive, përmirëson edhe cilësinë e jetës dhe shëndetin e përgjithshëm,” tha Dibra.

Ai theksoi se, megjithëse në vendin tonë ky trajtim nuk ka qenë shumë i përhapur më parë, vitet e fundit ka pësuar një zhvillim të ndjeshëm dhe tashmë konsiderohet një domosdoshmëri për trajtimin e obezitetit të rëndë.

“Në botën perëndimore, ky operacion është kthyer në një standard të trajtimit, ndërsa ne po e përqafojmë gjithnjë e më shumë si alternativë të suksesshme,” shtoi ai.

Sipas kirurgut, rezultatet e plota të këtij operacioni do të jenë të dukshme pas disa muajsh, kur pacienti do të ketë arritur humbje të qëndrueshme në peshë dhe do të ketë përmirësuar parametrat shëndetësorë.

Në bisedë, Arvin Dibra ndau edhe pasionin e tij për sportin, duke sqaruar se për momentin ai e konsideron sportin si një hobi dhe jo profesion. Ai theksoi rëndësinë e aktivitetit fizik si pjesë e një jetese të shëndetshme, por shtoi se prioriteti i tij është mjekësia dhe ndihma që i jep pacientëve.Gjithashtu, Dibra përmendi mentorët e tij të gjatë studimeve në mjekësi, të cilët e kanë mbështetur dhe këshilluar në çdo hap të rrugëtimit profesional.

Ai vlerësoi rëndësinë e mentorimit për zhvillimin e një mjeku të suksesshëm dhe theksoi se mbështetja dhe udhëheqja janë elementë kyç për t’u përballur me sfidat e profesionit.

Ora 21:51
Teuta Dhima: Leximi i bën mirë shëndetit dhe mirëqenies mendore

E ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, bibliografja Teuta Dhima trajtoi rëndësinë e leximit si një formë efikase terapie, sidomos gjatë periudhës së verës kur njerëzit kanë më shumë kohë të lirë.

“Lexohet më shumë në verë dhe kjo nuk është thjesht një mit,” tha Dhima.

Ajo shpjegoi se përveç argëtimit, libri shërben si një përmbushës shpirtëror dhe një mjet i fuqishëm psikologjik.Leximi ndihmon në largimin nga gjendjet e apatisë, ankthit dhe stresit të përditshëm, duke ndikuar pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së jetës.Leximi si terapi është një teknikë e përdorur prej shumë kohësh në psikologji dhe psikiatri.

Studiuesit kanë treguar se përqendrimi në një libër mund të ulë ndjeshëm nivelet e kortizolit, hormoni i stresit, duke sjellë një gjendje qetësie dhe relaksi për trurin. Leximi i rregullt përmirëson aftësitë njohëse, përqendrimin, dhe nxit empatinë – aftësinë për të kuptuar dhe ndjerë emocionet e të tjerëve.

“Vlerat qetësuese të leximit tashmë janë të pranuara gjerësisht nga psikologët,” shtoi Dhima, duke theksuar se leximi i librave me përmbajtje pozitive apo edukative mund të ndihmojë në përballimin e sfidave emocionale dhe në zhvillimin personal.Në botën e sotme dixhitale, ku vëmendja shpërndahet lehtë nga rrjetet sociale dhe ekrani i telefonit, leximi i një libri kërkon përqendrim dhe vetëdisiplinë. Megjithatë, investimi në këtë aktivitet ka përfitime të mëdha për shëndetin mendor dhe mirëqenien psikologjike.

Një libër i mirë mund të jetë një “shpëtimtar” në periudha të vështira, duke ofruar njohuri, frymëzim dhe një mënyrë për t’u larguar përkohësisht nga realiteti stresues. Për më tepër, leximi i përditshëm përmirëson gjumin dhe redukton simptomat e depresionit, siç tregojnë disa studime ndërkombëtare.

Në fund, Teuta Dhima nënvizoi rëndësinë e promovimit të kulturës së leximit dhe ftoi publiku të gjejë kohë çdo ditë për ta kthyer librin në një aleat të shëndetit mendor.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?