Kisha e Shën Gjergjit në Berat monument i harruar, prifti ortodoks: Jemi duke analizuar sesi ta kthejmë në një godinë të dobishme për komunitetin

23 Prill 2023, 15:56| Përditesimi: 23 Prill 2023, 15:59

  • Share

Kisha e Shën Gjergjit në Kalanë e Beratit prej vitesh është lënë në degradim. E ndërtuar në shekullin e XVIII, ajo u transformua nga sistemi komunist në rezidencë qeveritare, duke fshirë shumë gjurmë të historisë, pasi u shemb pjesa e sipërme e kishës dhe u ndërtua kati i dytë, imitim i shtëpive karakteristike beratase.

“Është një foto që e kanë marrë italianët, ku është Manastiri i plotë. Ajo është marrë para se të ndodhte kapitullimi i Italisë, i cili ka ndodhur në korrik të vitit 1943 kundër Mussolinit. Manastiri ka qenë në formën e tij deri në kishë faltore kemi foto deri vonë 1940  nga italianët. Me dekrete me irade sultanike nuk lejohej të prisheshin sepse janë mbrojtur në kushte paqe. Nuk u prish as nga pushtimi Turk. Pas ardhjes së komunizmit feja u pa me syrin e njerkës së përrallave jo me syrin e nënës se dhembshur u pa si opium pasi komunizmi kishte si qëllim të ribënte histori. Kisha në kohën e komunizmit u kthye në një pikë turistike, u tjetërsua. Pati sigurisht dëmtime, bënë shtesa me beton deformime madje u shkel mbi eshtrat e të parëve mbi të cilat u hodhe dhe beton..”- thotë Xhovan Kajana, historian.

Pas një kalvari të gjatë gjyqësor në vitin 2002 kaloi në pronësi të Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Nga 2002 e deri më sot kanë kaluar 22 vite dhe sërish godina është në gjendje të mjerueshme, e jashtë funksionit.

“Me ardhjen e demokracisë , kur fryu era perëndimore filluan të bëheshin ndryshime pozitive edhe në anën fetare, pasi filluan të hapeshin kishat.  Në 12 dhjetor 1990 kur filluan të hapeshin kishat  një nga gjërat e para që ka bërë kisha Autoqefale, Dioqeza e Beratit është që hodhi në gjyq të ashtuquajturën pikën turistike dhe e ka fituar gjyqin vetëm në vitin 2002 pasi gjyqet zgjateshin. Ndërkohë objekti sa vinte dhe degradohej. Fillimisht u mor kati i parë sapo u rikthye kishë vinin besimtarët ortodoks sidomos ditën e Shën Gjergjit në 23 Prill.”-vijoi ai.

Projekti për restaurimin e kishës së Shën Gjergjit ka mbetur pezull prej vitesh thotë, At Joani, duke cilësuar se mungojnë fondet.

“Jemi duke u thelluar dhe duke analizuar si nga Kisha Ortodokse ashtu dhe nga autoritetet shtetërore që të kthehet në një godinë të bukur por edhe me mundësi për ti shërbyer komunitetit. Kështu që shpresojmë me hirin e perëndisë do të kemi dhe aty një objekt që do ta zbukurojë Kalanë e Beratit  në mënyrë të mrekullueshme.”- thotë prifti ortodoks.

Godina e rrënuar e Kishës së Shën Gjergjit ndodhet në një pikë strategjike të lagjes Kala. Në vend të historisë ajo ofron një imazh të shëmtuar për mijëra turistë që vizitojnë çdo vit qytetin e UNESCO-s.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Çelepias: 23/04/2023 23:21

    Në Berat, kryetari aktual i bashkisë është kuçedër e emëruar nga lartë. Nëse nuk e shporrim do ta hajë edhe kishën

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?