Kur katër artistë të rinj me kutitë e instrumenteve në dorë, hynë në kon katedralen “Shën Luçia” të Durrësit të martën pasdite askush nga të pranishmit nuk u habit.
Kisha më e vjetër katolike e qytetit antik që prej disa vitesh ka hapur dyert për koncertet muzikore të artistëve vendas dhe të huaj.
Edoardo Zosi, bashkë me kolegët e tij të Kuartetit “Adorno” kanë ardhur nga qytete të ndryshme të Italisë së Veriut, dhe janë adoptuar menjëherë me mjediset e Kon katedrales:
“Ka një akustikë të shkëlqyer – thotë ai, duke shtuar se “edhe muzika perëndimore, shekuj më parë monofonike, ka lindur falë akustikës së kupolave në kisha”.
Bankot e kishës mbushen shumë shpejt dhe tingujt e instrumenteve krijojnë një mrekulli të vogël me partiturat e Franz Shubertit dhe Antonin Dvorzhakut.
“Është mbrëmja e dytë e edicionit të 20-të të Festivalit ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës –tha Nevila Kalaja, themeluese e këtij Festivali, i cili deri në përfundimin e tij më 21 korrik do ti mbledhë artdashësit në Kishë edhe 7 herë të tjera.
Nevila tha se në mjediset e kultit për të tretin vit radhazi kanë gjetur mikpritje dhe mbështetje. Pa harruar se deri tani edhe shpenzimet për energjinë elektrike dhe kondicionerët i ka përballuar Don Mariani, famullitari – shton ajo.
A ka ndonjë të metë për koncertet muzikore, Kisha “Shën Luçia”?
“Vetëm numrin e kufizuar të spektatorëve. Artdashësit e pasionuar janë shumë më tepër – shprehet instrumentistja Nevila Kalaja, e cila i ka ngjitur vitet e kaluar artistët e Festivalit në hapësirat e Muzeut Arkeologjik, teatrit “Aleksandër Moisiu”, etj.
Por institucionet e artit në qytet kanë shënuar vonesa në rikonstruksione, dhe alternativa e “Shën Lucias” u gjet si zgjidhje shumë e mirë.
Vetë kon katedralja është restauruar 7 vjet më parë me rastin e 150-vjetorit të ndërtimit kishës më të vjetër e qytetit.
Famullitari, Don Marian Lumçi konsiderohet një idhull në mjediset e kishës “Shën Luçia”.
Besimtarët dhe artistët e respektojnë, pasi kisha ka krijuar kushte për të rinjtë që interpretojnë në violinë e kitarrë, apo edhe kur paraqesin poezitë e sapobotuara..
“Sipas meje kisha “Shën Luçia” mbi të gjitha është një pikë referimi shpirtërore, që drejton praktikën e jetesës sonë të përditshme – tha Carlo Cherson, një pensionist italian që jeton prej dy vjetësh në Durrës.
“Kur bëhet edhe një vend i qetë përballjesh kulturore, aq më mirë – shton Carlo, i cili drejton një grup komunitar bashkëatdhetarësh, që kanë gjetur mbështetje në Kishë.
“Në “Shën Lucia”, të gjithë muzikantët që kanë luajtur aty, e kane ndjerë veten “në familje” kryesisht nga dashuria dhe mirësia e njerëzve që mbajnë dyert e asaj vatre hapur, duke ofruar çdo gjë, pa kërkuar asgjë”.
Kështu e vlerëson përvojën e tij muzikore në institucionin e kultit violinisti Florian Vlashi, i cili që prej 33 vitesh drejton një Ansambël muzikor në Spanjë.
Vlashi kujton “marrëdhëniet me Kishën Katolike të Durrësit që kur ishte fëmijë.
“Më kujtohet koncerti i parë aty me “Formacionin e Harqeve Jan Kukuzeli” të shkollës së muzikës në dhjetorin e vitit 1989 - vepra nga Vivaldi, Kukuzeli e Bach-Gounot. Duhet të ketë qenë koncerti i parë i muzikës klasike aty.
Në Edicionin II të Bienales muzikore luajtëm aty për herë të parë në Shqipëri veprën madhore “Arti i Fugës” nga J.S.Bach; e kështu me rradhë, koncertet dedikuar Familjes Durazzo, Kori i Filharmonise së Kosovës me Koralet e Kukuzelit dhe Gjergj Danush Lapacajes (sh. XVI) e deri tek Mesazhet e Nënë Terezës me muzikën e Haydn-it “Shtatë Fjalët e Fundit të Krishtit në Kryq”.
Tonini dhe e shoqja Eni nuk mungojnë asnjëherë në koncertet që organizohen në Kishën “Shën Luëia”. “Marrim edhe vajzën violiniste, dhe ndjehemi shumë mirë, pasi bisedojmë me artistët në fund të shfaqjes – shprehen bashkëshortët Cefa”.
“Edhe këtë vit shumica e instrumentistëve vijnë nga vende të ndryshme të Ballkanit e të Europës, nddërsa në sallë bashkë me ne ka dhjetra turistë dhe qytetarë të huaj – thotë Tonini.
Instrumentistët e kuartetit “Adorno” rikthehen në podium për përshëndetjen, dhe Edoardo, drejtuesi i grupit ia dedikon pjesën e fundit Don Marianit, si shenjë vlerësimi për mikpritjen.
“Muzika është universale. Ajo mund të luhet në çdo qendër kulti, i çfarëdo besimi qoftë. Këto vende, veç arkitekturës, akustikës e respektit për traditën, ofrojnë atë që është kryesore: paqen dhe heshtjen për meditim me veten dhe Hyjnoren, si qëllim i të gjithë besimeve dhe arteve – përfundon violinisti durrsak Florian Vlashi.
Komente
