Hirësia e tij, z. Nathanail dhe z. Anastas

Sociale

Kisha ortodokse e Shqipërisë zgjedh dy mitropolitë të rinj për Gjirokastrën dhe Korçën! Fronëzimi i tyre më 20 dhe 27 shtator

16 Shtator, 12:57| Përditesimi: 16 Shtator, 13:03

  • Share

Sinodi i Hirshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Joanit, u mblodh sot, më 16 shtator 2025, në selinë e Qendrës Sinodike të Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës, në përputhje me Statutin e Kishës, dhe kreu zgjedhjet e mëposhtme:

Zgjodhi me vota të plota si Mitropolit të Gjirokastrës Hirësinë e tij, Mitropolitin e deritanishëm të Amantias, Hirësi Nathanailin. Fronëzimi i Mitropolitit të ri do të bëhet më 20 shtator 2025, në orën 11:00, në Kishën Katedrale të Ngjalljes së Krishtit, në Gjirokastër.

Zgjodhi me vota të plota si Mitropolit të Korçës Hirësinë e tij, Episkopin e deritanishëm të Krujës, Hirësi Anastasin. Fronëzimi i Mitropolitit të ri do të bëhet më 27 shtator 2025, në orën 11:00, në Kishën Katedrale të Ngjalljes së Krishtit, në Korçë.

Dy Mitropolitët e sapozgjedhur lexuan Mesazhin e Madh në kishëzën e Qendrës Sinodike.

Jetëshkrime të shkrurtra të Mitropolitëve të rinj

MITROPOLITI I GJIROKASTRËS, HIRËSI NATHANAILI (Stergiu)

Hirësia e tij, Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail (Stergiu), lindi në Taksiarhas të Trikalas, në vitin 1957. Ai kreu studimet në shkollën e mesme "Athoniadha" në Malin e Shenjtë (1978) dhe në Fakultetin Teologjik të Universitetit "Aristoteli" të Selanikut (1982).

U qeth murg në Manastirin e Hirshëm të Lavrës së Madhe të Malit të Shenjtë (1979), u hirotonis dhjakon (1982) dhe prift (1987) nga Hirësia e Tij, Episkopi i Rodostolit, Krisostomi.

Nga viti 1991 deri në vitin 2012, shërbeu si prift enorie, atë shpirtëror dhe predikues në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës, si dhe mësues në liceun kishtar "Kryqi i Nderuar" në Gjirokastër.

Në janar të vitit 2012 mori gradën episkopale të priftërisë nga Kryepiskopi ynë i ndjerë Anastas, dhe u ngarkua me kujdesin e Kishës Katedrale të sapondërtuar të Ngjalljes së Krishtit në Tiranë. Gjithashtu, ka shërbyer deri më sot si Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë.

Më 7 prill 2016, Episkopata e Amantias u ngrit në rang Mitropolie dhe Episkopi Nathanail u caktua Mitropolit Titullar i saj. Është anëtar i bordit ekzekutiv të Fondacionit "Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi".

MITROPOLITI I KORÇËS, HIRËSI ANASTASI (Mamaj)

Hirësia e tij, Mitropoliti i Korçës, z. Anastas (Mamaj), lindi në Vlorë, në vitin 1979. Ai kreu studimet në Departamentin e Gjuhës Greke në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Athinës (1999), u diplomua në Universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës dhe mori diplomë në degën Administrim Biznes (MSc) (2001-2005). Më vonë ndoqi studimet në Akademinë Teologjike "Ngjallja e Krishtit" (2017) dhe në Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës në Kolegjin Universitar LOGOS, ku mori diplomë (BSc) në Studime Teologjike Sociale dhe Shkenca Fetare (2023).

Në vitet 2005-2009 ka mbajtur poste me rëndësi në Bankën Italo-Shqiptare dhe nga viti 2009 deri në vitin 2017 ka pasur poste drejtuese në Union Bank. Nga viti 2006 deri në vitin 2014 ka qenë anëtar i Këshillit Kleriko-Laik të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mitropolitit të ndjerë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësi Ignatit.

U hirotonis dhjakon më 22 janar 2018 nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i ndjerë Anastas, u hirotonis prift më 20 tetor 2019 dhe mori titullin e Arkimandrit më 9 gusht 2020.

Nga viti 2017 deri më sot kontribuon në administrimin e pasurisë kishtare dhe aktiviteteve ekonomike të Kishës së Shqipërisë. Është Drejtor Ekzekutiv i Institucionit Universitar "LOGOS", përfaqësues i Kryepiskopit në Këshillin Ekzekutiv dhe anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit "Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi". Gjithashtu, është këshilltar në Institucionin Arsimor "Frymë Dashurie" dhe nga data 3 dhjetor shërben si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës dhe Durrësit. Përveç gjuhës amtare, flet gjuhën greke dhe italiane.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?