Kultura

Kisha 'Shën Thanasi' në Voskopojë drejt shembjes, projekti për restaurimin e monumentit deri tani vetëm në letër

19 Korrik 2021, 17:57| Përditesimi: 19 Korrik 2021, 16:04

  • Share

VOSKOPOJË-Kisha e Shën Thanasit në Voskopojë, një nga monumentet më të vjetra kulturore në qarkun e Korçës, po shkon drejt degradimit. Siç duket edhe nga këto pamje, muret dhe afresket e kishës janë dëmtuar. Më alarmante është çatia e objektit të kultit.

Ky monument kulture i ndërtuar në vitin 1724, ka pësuar dëmtime të theksuara të çatisë në rreth 70%, ndërsa rreth 30% e saj është shembur thuajse krejtësisht.  Jo vetëm mungesa e investimeve, por dhe kushtet atmosferike kanë thelluar dëmet.

“Kisha e Shën Thanasit është një nga objektet në Voskopojë që ka nevojë për ndërhyje emergjente. Situata ka agravuar më tepër nga reshjeve që sapo kaluam. Bëhet fjalë për restaurimin e gjithë çatisë. Të zëvendësohet shtresa drusore e çatisë, dhe më pas të shikohet mundësi dhe për zëvendësimin e rrasave të dëmtuara që janë të dëmtuara për shkak të kohës”, tha drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Gjergji Koki.

Projekti për restaurimin e kishës, sipas Drejtorit të Monumenteve të kulturës Gjergji Koki, prej disa vitesh ka mbetur vetëm në letër për shkak të mungesës së fondeve. Ai kërkon që të merren masa, pasi nëse nuk ndërhyhet, dëmtimet do te jenë të pa riparueshme.

“Projekti është realizuar. Do ta përditësojmë edhe me situatën aktuale. Presim që të kemi një financim nga Ministria e Kulturës, pasi situate këtu është SOS. Për shkak të prioriteteve që ka pasur qeveria dhe Ministria e Kulturës, për shkak të tërmetit dhe ka pasur objekte më SOS, është parë e arsyeshme që të financohen objektet e tjera më prioritare. Pjesa kryesore është afresku që kemi merakun më të madh. Kjo është një nga kishat me gjendjen e afresket më të mirë në Voskopojë”, përfundoi Koki.

Kisha e Shën Thanasit që ndodhet rreth 20 kilometra larg Korçës, është monument kulture, i llojit “Arkitekturë”, i miratuar që në vitin 1971.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?