Në kuadër të operacionit ‘Tempulli’ policia e Dibrës ka arrestuar një 33-vjeçar. Sipas policisë është vënë në pranga Alfred Gjoka, të cilit iu gjetën të fshehura në trup dhjetëra doza me kokainë.
‘Si rezultat, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Dibër, forcat e Posaçme Operacionale, forcat "Shqiponja", në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, në orët e mbrëmjes në qytetin e Bulqizës, kanë ndaluar për kontroll shtetasin A.Gj., ku i'u gjetën të fshehura në trup, dhjetra doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të gatshme për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i poseduesit të dozave të kokainës, shtetasi Alfred Gjoka, 33 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë, i cili do ti shiste dozat me lënde narkotike kokainë, në qytetin e Bulqizës.’- njofton policia.
Ndërkohë në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’ u proceduan penalisht Liman Daci dhe Klodian Murati. Gjatë kontrollit të policisë në makinën m etë cilin po udhëtonin iu gjetën 2 armë gjuetie.
‘Në Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër në bashkëpinim me strukturat Hetimore të DVP-së, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas (njëri nga Tirana dhe tjetri nga Durrësi), lëviznin me armë gjahu, kanë organizuar punën për kapjen dhe ndalimin e tyre. Shërbimet e Policisë kanë ndaluar dy automjetet që lëviznin të dyshuarit shtetasit L.D., dhe K.M., dhe gjatë kontrollit në mjetet e tyre u gjetën dy armë gjuetie, që i posedonin pa leje. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit L.D., 36 vjeç, banues në Durrës dhe K.M., 37 vjeç, banues në Tiranë. Dy armët e gjahut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.’- njofton policia.