Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg" për Fatjon Muratin, i cili u arrestua 3 ditë më parë teksa ishte në një njëjtën makinë me Endrit Doklen, mjet që drejtohej nga Gentian Reçi, kunati i Dokles. Murati akuzohet për armëmbajtje dhe prodhim pa leje të armëve luftarake.
Urdhër arresti për Muratin ishte aktiv prej muajit korrik 2022 llogari të hetimeve pasi u kap bazë armësh në Tiranë dhe në të cilën është arrestuar edhe shoku i tij Kristjan Gjini. Ky i fundit kishte marrë në emër të tij 2 ambiente me qira në kompleksit rezidencial 'Fusha' në kryeqytet, në njërën prej të cilave jetonte Franceska Kolgjegja.
Gjatë kontrollit në këto 2 banesa u gjetën 7 armë zjarri, 4 silenciatorë, municion luftarak, krehra, lëndë e dyshuar narkotike, 2 radio si ato të Policisë, dorashka, 7 maska, një thikë, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjete.
Murati ishte i shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë. Murati ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje.
Edhe Dokle u shoqërua në polici por u lirua pasi dha dëshminë e tij. Ai mohoi të kishte konflikte me Martinaj, apo dijeni për zhdukjen e tij duke thënë se as e njihte personin. Dëshmia e Dokles para hetuesve erdhi pasi Nuredin Dumani rrëfeu para hetuesve të SPAK se Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro nëse do ta vriste Doklen.